Pep Guardiola ka zbuluar në një intervistë për ESPN ëndrrën e tij si trajner, pas drejtimit të Manchester City.
Trajneri spanjoll tregoi hapur dëshirën për të drejtuar një ekip kombëtar. “Nuk e di kush më do mua (qesh). Të punosh në kombëtare nuk besoj se është si në klube”, – tha trajneri nga Sampedor.
Guardiola, i cili e përfundon kontratën e tij me Manchester City më 2025 dhe dikur konsiderohej si trajner i Brazilit, në këmbim të 12 milionëve eurove në sezon, shpjegoi dëshirën për të drejtuar një ekip kombëtar në të ardhmen:
“Kur fillova punën si trajner, nuk mendoja në lidhje me fitimin e titujve për të qenë kampion i Ligës së Kampionëve. Atëherë mendova: nëse kam një punë, kjo është e mirë. Do të doja të kisha përvojën e të jetuarit një Kupe Bote, një Kampionati Evropian, një ‘Copa América’. Do të doja ta jetoja këtë, nuk e di kur, pas 5, 10 apo 15 vitesh, por do të doja të luaja në një Botëror si trajner”.
Guardiola ishte shumë kritik ndaj presionit që marrin trajnerët elitarë në futboll: “Kur arrin dhe je atje, të gjithë duan të të heqin nga maja. Nëse më shihni mua, pas Barcelonës, duan të m’i heqin meritat. Një herë thonë se fitova prej Lionel Messit dhe shokëve të tij te Barcelona.
Kur mbërrita atje (në stolin blaugrana), 86% nuk më donte. Për sukseset në Bundesligë, të tjerët thonë se Bayern Munich fiton gjithmonë. Njerëzit priten t’i shpërndajnë vlerat e fitores, është normale. Kur nuk fiton, fajin e ka vetëm trajneri. Rivalët duan t’ju mundin, kritikët duan t’i minimizojnë vlerat tuaja”.
Trajneri i City shpjegoi më tej për kritikët: “Ata janë ulur atje, duke të parë ty, por ai që punon je ti, jo ata. Nëse bën keq, shkon në shtëpi. Sa vlej dua ta vërtetoj për lojtarët, ekipin dhe klubin tim, jo kritikët. Kur mbërrita te Barcelona, 86% nuk më donin. Kur u largova më thanë: Je perfekt. Më mirë të mbërrish kështu, sesa ‘ah, gjithçka perfekte’. Bind njërin, bind tjetrin… Unë preferoj që njerëzit të dyshojnë. Kam nevojë që të mos besojnë tek unë, kjo më jep një energji të pabesueshme”.
Guardiola mbron Haaland, duke kujtuar Pele, Neymar, Romário, Ronaldo dhe Rivaldo: “Dyshimi nuk është ekskluziv për Haaland apo Guardiolën. Kritikët presin që Haaland të mos shënojë 56 gola. Ata presin që unë të dështoj. Gjithmonë ka qenë kështu, me Pelé, Romário, Ronaldo, Rivaldo, Neymar.
Me të gjithë. Gjithmonë do të jetë kështu. Nëse dëshiron ta luftosh këtë, je i humbur. Çështja është të thuash: Kur arbitri i bie bilbilit, unë luaj, kritikët jo. Tani do t’ju vërtetoj se e keni gabim, unë kam të drejtë”.