Pa kohë për të pushuar pas një super-spektakli me gjashtë gola në Spanjë, Interi i Milanos rikthen vëmendjen te mbrojtja e dobët e titullit në Serie A të shtunën, kur pret Hellas Veronën në “San Siro”.
Zikaltërit impresionuan në Barcelonë, por tre humbjet radhazi në kampionat i kanë lënë në ndjekje të Napolit dhe i kanë eliminuar edhe nga Kupa e Italisë; ndërkohë, Verona ka ende nevojë për pikë për të siguruar mbijetesën.
Pak kush do ta kishte parashikuar një barazim 3-3 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës, duke pasur parasysh që përballeshin mbrojtja më e fortë me sulmin më të rrezikshëm – por gjithçka mori përmasa kaotike të mërkurën në mbrëmje.
Marcus Thuram, sapo rikthyer nga dëmtimi, zhbllokoi sfidën pas vetëm 30 sekondash në “Montjuic”, dhe Denzel Dumfries dyfishoi rezultatin në minutën e 21-të; megjithatë, Barça barazoi në fund të pjesës së parë. Edhe pse Dumfries realizoi sërish pas pushimit, katalanasit gjetën menjëherë reagimin, duke vendosur gjithçka në balancë për duelin e kthimit në “San Siro” javën e ardhshme.
Para kësaj, Inter duhet të përpiqet të qëndrojë në garë për titullin, pasi kampionët në fuqi të Italisë ndodhen tre pikë prapa liderit të ri, Napolit, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar.
Pas disfatës ndaj Romës fundjavën e kaluar, skuadra e Simone Inzaghit ka humbur dy ndeshje radhazi në kampionat pa shënuar – të ndara nga eliminimi i dhimbshëm në kupë ndaj rivalëve të qytetit, Milan – duke shfaqur një formë shumë larg asaj të fillimit të sezonit.
Mbrojtja po çalon dhe skuadra po tregon shenja lodhjeje – një model që ndjek shpesh trajneri Inzaghi në muajt prill dhe maj, ku historikisht ka pësuar më shumë humbje në kampionat (nga 12 për secilin muaj).
Me një përqindje humbjeje prej 36% në muajin maj, ai do të kërkojë të ndryshojë këtë trend në vitin 2025 – duke nisur nga fitorja kundër Veronës, një kundërshtar që Interi e ka patur gjithmonë “klient”.
Zikaltërit kanë mposhtur Hellas Veronën më shumë se çdo ekip tjetër në Serie A (41 herë), duke realizuar 117 gola në total – përfshirë një fitore 5-0 në nëntor në “Bentegodi”, ku Thuram shënoi dy gola.