Mbrëmja e djeshme shënoi një moment të veçantë për Xabi Alonso, i cili udhëhoqi Bayer Leverkusen për herë të fundit përpara tifozëve të tij në “BayArena”.
Ndeshja e radhës, dhe njëkohësisht e fundit për këtë sezon, do të zhvillohet jashtë fushe, përpara se Alonso të nisë një aventurë të re – këtë herë në krye të gjigandëve të Real Madridit.
Megjithatë, tek Leverkusen nuk ka vend për trishtim. Klubi gjerman është gati të hapë një kapitull të ri dhe tashmë ka piketuar pasardhësin e trajnerit spanjoll. Sipas mediave gjermane, kandidatura kryesore për pankinën e kampionëve është një tjetër ish-yll i futbollit spanjoll – Cesc Fabregas.
I njohur për qasjen moderne ndaj futbollit dhe punën e shkëlqyer te Como, Fabregas pritet të largohet nga klubi italian në fund të sezonit, pasi e udhëhoqi drejt një rikthimi të lavdishëm në Serie A dhe siguroi jo vetëm mbijetesën, por edhe një vend dinjitoz në mesin e tabelës. Loja e tij e hapur, teknike dhe atraktive ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Leverkusen.
Nëse gjithçka konkretizohet, Fabregas do të nisë një projekt ambicioz në Bundesligë, me synimin për të ruajtur konkurrencën ndaj Bayernit për titullin kampion dhe për të ndërtuar një skuadër të suksesshme edhe në arenën europiane.