Baseli është rikthyer te titulli i kampionit në Zvicër pas shtatë vjetëve pritje.
Për gjigantin zviceran ky ishte titulli i 21-të në historinë e klubit, ku meritë pa dyshim kishte Xherdan Shaqiri me 18 gola e 20 asistime.
Shaqiri ka folur për “20min.ch” duke shfaqur emocionet për titullin e kampionit, teksa tha se për titullin është rikthyer.
“Kjo është arsyeja pse u ktheva. Erdha me ambicie dhe qëllime të qarta. Kur u largova nga FC Basel, klubi gjithmonë luftonte për tituj. Nuk do ta kisha menduar se do të ndodhte që në vitin e parë, por kjo e bën gjithçka edhe më të bukur. Tani kemi ende një shans për të fituar dy trofe”, u shpreh Shaqiri.
Titulli kampion është siguruar, por Shaqiri dhe skuadra e tij synojnë të shkruajnë histori me dy trofe të fituar.
Përveç kësaj, Shaqiri është pesë pikë (gola/asistime) larg barazimit të rekordit të të gjitha kohërave të Superligës, të vendosur nga Stephane Chapuisat në sezonin 2003-2004 me Young Boys.
Nga 43 pikët (gola e asistime) e Chapuisat, 24 ishin gola. Me formën e tij aktuale të shkëlqyer, Shaqiri ka të gjitha mundësitë të thyejë edhe këtë rekord prestigjioz.