I ‘përjashtuar’ nga Chelsea, Raheem Sterling tregon se me çka po ‘merret’

Raheem Sterling ka zëvendësuar fushat e qeta të “Cobhamit” me një terren “five-a-side”, duke marrë kohë nga izolimi i tij te Chelsea për të trajnuar nxënës shkollash në Londër.

Sulmuesi, i cili është lënë jashtë skuadrës së parë nga Enzo Maresca, organizoi një ditë stërvitjeje komunitare për nxënësit e “Our Lady Immaculate Catholic Primary School” në Tolworth.

Sterling, 30 vjeç, u bashkua me trajnerin e akademisë Azeez për një seancë të veçantë që përfshiu 25 djem dhe vajza.

“RS7 Academy” e përshkroi ngjarjen si “një ditë argëtimi dhe futbolli”, duke falënderuar stafin e shkollës, prindërit dhe nxënësit që e bënë “një ditë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit”.

Ky ishte një nga rastet e rralla ku Sterling është parë publikisht gjatë periudhës së tij të izolimit nga “Stamford Bridge”.

Reprezentuesi anglez po stërvitet i ndarë nga skuadra e parë e Chelseat që prej verës, pasi iu bë e qartë se nuk bënte më pjesë në planet e Marescës.

Sterling iu bashkua Chelseat në vitin 2022 nga Manchester City për 47.5 milionë paund dhe i kanë mbetur dy vite nga kontrata e tij, e cila vlen mbi 300 mijë paund në javë.

Ai nuk u përfshi në fotografinë zyrtare të skuadrës për sezonin 2025-26 dhe po stërvitet veçmas së bashku me mbrojtësin Axel Disasi.

Sipas raportimeve, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) ka kontaktuar Chelsean për t’u siguruar që të dy lojtarët të vazhdojnë të kenë qasje në kushte të përshtatshme stërvitore dhe trajnim profesional.

Klubi ka caktuar staf të dedikuar për të mbikëqyrur seancat e tyre në “Cobham” ndërsa ata presin mundësi transferimi në janar.

Maresca e komentoi situatën muajin e kaluar, duke thënë se dy lojtarët “stërviten në një kohë tjetër, në një fushë tjetër” dhe duke konfirmuar se “nuk ka rrugë kthimi” në planet e skuadrës së parë.

Izolimi i Sterling vjen pas një periudhe huazimi zhgënjyese te Arsenal sezonin e kaluar, ku ai zhvilloi 28 paraqitje në të gjitha garat, por vetëm 13 si titullar, duke shënuar një gol.

Ai refuzoi oferta verore nga Napoli, Bayern Munich dhe disa klube londineze, pasi raportohet se preferoi të qëndronte pranë familjes së tij në kryeqytet.

Ish-anësori i Manchester Cityt po punon në mënyrë private me një ekip përgatitjeje fizike të udhëhequr nga Ben Rosenblatt, ish-anëtar i stafit të përgatitjes së Anglisë, për të ruajtur formën.

Akademia e tij “RS7”, e nisur në gusht të këtij viti, zhvillon seanca stërvitore për të rinjtë në jugperëndim të Londrës dhe bashkëpunon me shkollat lokale për të promovuar pjesëmarrjen dhe barazinë në sport.

Dalja e fundit e Sterling mori vlerësime nga prindërit në rrjete sociale, pasi pamjet video tregonin atë duke inkurajuar fëmijët gjatë ushtrimeve dhe duke pozuar për foto në grup.
“RS7 Academy” e përshkroi ngjarjen si “të parën nga shumë të tjera të tilla”, duke ftuar shkolla të tjera të rezervojnë seanca komunitare.

Ndërkohë, Chelsea po përgatitet për ndeshjen e Premierligës kundër Sunderland të shtunën, ndërsa Sterling pritet të qëndrojë edhe të paktën dy muaj larg ndeshjeve zyrtare, deri në hapjen e merkatos së janarit.

Ai nuk ka luajtur që nga paraqitja e tij e fundit me Arsenal në maj./GazetaExpress/