Arne Slot ka reaguar ndaj Mohamed Salahut pas deklaratave tronditëse të yllit të Liverpoolit në “zonën mix” të “Elland Road”.
Vështirësitë e Liverpoolit vazhduan sërish të shtunën, kur ata pësuan një gol të barazimit në minutën e 96-të nga Leeds United, duke barazuar 3-3 vetëm pak ditë pasi u ndalën në barazim 1-1 në shtëpi nga Sunderlandi.
Por tema më e madhe e ditës erdhi pas ndeshjes, kur Salahu vendosi të shprehej hapur në një intervistë të papritur për disa media të pranishme.
Egjiptiani, i cili sezonin e kaluar e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit historik të Premierligës, u la në stol për ndeshjen e tretë rresht dhe nuk u aktivizua fare.
I frustruar me situatën e tij, vetëm pak muaj pasi nënshkroi rinovimin e kontratës, Salahu deklaroi se klubi “më ka hedhur nën autobus” dhe se “është shumë e qartë se dikush ka dashur që unë të marr fajin”.
Ai shtoi gjithashtu se ai dhe Slot “nuk kanë asnjë marrëdhënie” dhe tha se “dikush nuk më do në klub”, teksa foli për të ardhmen e tij.
33-vjeçari ishte i pranishëm në stërvitje të hënën, por nuk u përfshi në skuadrën që udhëtoi drejt Milanos për përballjen me Interin të martën në mbrëmje.
Në vend të tij, trajneri holandez përfshiu 19-vjeçarin Wellity Lucky, i cili debutoi në humbjen 3-0 ndaj Crystal Palace në Carabao Cup në tetor.
Duke folur në konferencën për shtyp të së hënës për situatën me Salahun, Slot zbuloi se komunikimi i vetëm mes tyre ishte njoftimi se egjiptiani nuk do të udhëtonte.
“Ne ia kemi bërë të ditur se ai nuk do të udhëtojë me ne,” shpjegoi Slot. “Kaq ka qenë i gjithë komunikimi mes nesh dhe atij”, shtoi ai.
I pyetur se si reagoi Salahu, Slot tha se ishte “i shkurtër”.
I pyetur nëse Salahu mund të rikthehet në skuadër, mes spekulimeve të shumta për të ardhmen e tij, ai u përgjigj: “Besoj fort se gjithmonë ekziston mundësia për t’u rikthyer”.
Kur u pyet nëse Salahu tashmë ka luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin, ai tha:
“Nuk kam asnjë ide.”
Slot theksoi se nuk beson se marrëdhënia mes tyre është prishur, por pranoi se Salah “ka të drejtë t’i ndiejë gjërat ashtu siç i ndien.”
Ai shtoi se Salah ka qenë “shumë i respektueshëm” ndaj bashkëlojtarëve dhe stafit, dhe se ka stërvitur shumë fort para ndeshjes me Leedsin, gjë që e bëri “befasi” shpërthimin e tij publik.
“Kur nuk e aktivizova më, zakonisht lojtarët nuk e pëlqejnë shumë trajnerin, por ai ishte shumë i respektueshëm ndaj stafit dhe shokëve të ekipit, dhe stërvitej shumë fort, kështu që ishte paksa surprizë kur dëgjova komentet,” tha Slot.
“Por nuk është hera e parë që një lojtar nuk luan dhe reagimi im është i qartë – prandaj ai nuk është këtu sonte”, u shpreh ai.
Ai shtoi: “Kur një lojtar thotë gjëra të tilla, ne duhet të reagojmë si klub. Dhe mund ta shihni që ai nuk është këtu”./GazetaExpress/

