Rrëfimi unik i trajnerit Silvinjo për shortin dhe Kombëtaren: Ky vend jeton me futbollin, e çmenda…

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo ka folur gjatë për “ESPN Brasil”, aty ku ka rrëfyer karrierën e tij dhe emërimin si trajner i Shqipërisë si kurrë më parë. Trajneri brazilian ka folur për fillimet te Shqipëria, e deri te ndeshja që kuqezinjtë do të luajnë në Varshavë për “Play Off” e Kupës së Botës.

Si ishte shorti për Botërorin?

Shortet tona kanë qenë shumë të vështira që nga Europiani, por ne e prisnim që të kishim kundërshtarë të fortë. Edhe shorti nuk na favorizoi për të luajtur në shtëpi. Gjithsesi, kemi vështirësi të mëdha, por për ne në Shqipëri, për kombëtaren, për vendin dhe për federatën, kjo është diçka e paprecedentë. Do t’i përballojmë këto pengesa që kemi përpara. Është vetëm një ndeshje dhe do të luajmë jashtë me Poloninë. Nëse fitojmë do të luajmë me fituesin e Ukrainë-Suedi që është sërish jashtë.

Çfarë ndryshimi ka mes trajnerit dhe menaxherit?

Në të vërtetë janë dy funksione të ndryshme. Ishte përvoja që pata në kombëtaren braziliane nga viti 2016 deri në 2018, në stafin e Tite-s. Aty e kuptova më mirë punën e një trajneri kombëtareje dhe arrita ta zbatoj këtë metodologji, këtë mënyrë pune dhe veprimi edhe në Shqipëri. Unë zakonisht them që zyra ku punojmë brenda federatës është laboratori ynë. Kemi një periudhë të parë që është monitorimi i lojtarëve tanë në klubet përkatëse. Një periudhë të dytë për monitorimin e kundërshtarëve, tani që e dimë se do të jetë Polonia. Ka një periudhë të tretë për përgatitjen strategjike të kësaj ndeshjeje, pastaj një fazë tjetër ku fillojmë të analizojmë edhe Suedinë ose Ukrainën. Dhe ka edhe periudhën e vizitave te lojtarët dhe ndjekjen e disa ndeshjeve të rëndësishme këtu në Europë. Pra, të mos gabosh në këto faza është shumë e rëndësishme. Duket e thjeshtë, por është një mënyrë krejt tjetër pune dhe vëzhgimi. Ne do të fillojmë që nga janari të monitorojmë lojtarët tanë funksionet, pozicionet, formën e tyre, dhe gjithashtu do të bëjmë disa vizita. Mua më pëlqen të jem afër lojtarit për të mos humbur lidhjen me të. Janë pothuajse katër muaj largësi dhe unë nuk dua ta humbas këtë kontakt, gjithmonë duke respektuar klubin dhe pa i vizituar lojtarët shumë afër ditëve të ndeshjeve. Për shembull, nëse kanë ndeshje të dielën, nuk shkoj të premten apo të shtunën. Preferoj fillimin e javës, të pimë një kafe dhe, nëse është e mundur, jashtë klubit – për mua është më mirë. Herë pas here ka edhe mesazhe, shkëmbime mesazhesh, vetëm për të mbajtur kontaktin.

Sa ndikon futbolli italian në Shqipëri?

Unë vij nga një ambient italian, duke punuar me Mançinin tek Interi nga 2014 deri në 2016. I bëra kurset atje, në Koverçiano, dhe gjatë një darke me presidentin kuptova që gjuha kryesore nuk ishte anglishtja, por italishtja. Edhe brenda federatës, përveçse pashë një strukturë shumë të mirë në Tiranë, unë jam një njeri shumë komunikues dhe e kuptova që me anglishten ose italishten, por sidomos me italishten, mund të krijoja një marrëdhënie shumë të mirë me shumicën e lojtarëve dhe me federatën në përditshmëri. Shumë lojtarë, e kuptova tre vite më parë, kishin luajtur ose po luanin në kampionatin italian dhe shumë prej tyre kishin kaluar nga aty. Kjo më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Pashë vetëm aspekte pozitive për të marrë përsipër detyrën si trajner i kombëtares shqiptare. Dhe vërtet, afërsia mes vendeve është shumë e madhe në shumë aspekte të futbollit, përfshirë edhe kuzhinën. Ekziston një afërsi shumë e madhe mes Shqipërisë dhe Italisë. Ti e di këtë. Pra, hahet shumë mirë atje. Hahet vërtet shumë mirë. Nuk është aspak keq.

Infastruktura në Shqipëri?

Po, ishte një qendër stërvitore e gatshme, por ende e painauguruar. Mungonin disa detaje në rinovim, por kishte kushte të plota për të nisur punën. Nga aty fillova të shihja mundësinë për të punuar brenda Tiranës. Siç tha edhe Gustavo, është një ambient shumë i hapur: ka kafene, restorante përreth, është shumë e aksesueshme. Kjo më shqetësoi, sepse nuk kisha parë kurrë një qendër stërvitore kaq të ekspozuar. As Doriva nuk kishte pasur një përvojë të tillë, as Pablo Zabaleta. Ai më tregoi se si ishte përqendrimi i tyre në Argjentinë, shumë më i mbrojtur. Unë u shqetësova shumë. E çmenda presidentn. I thashë: “President, duhet ta mbyllim këtë vend, duhet të filmojmë, të shohim ndërtesat përreth…” Por ndodhi e kundërta. Kishte një respekt shumë të madh. Ata janë shumë të apasionuar pas futbollit, por kur duhej të mbylleshim për stërvitje taktike, asnjëherë nuk doli ndonjë imazh, asgjë në internet, asnjë sabotim i punës sonë. Ishte shumë bukur dhe një përvojë e re për mua. Funksionoi shumë mirë. Kompleksi është i vogël, diskret, por ka realisht të gjitha kushtet për të bërë një punë shumë të mirë.

Si është kur takohesh me tifozët në rrugë?

Kjo ishte gjithashtu një situatë shumë pozitive. Unë kërkova leje nga presidenti që të jetoja në Tiranë. Ishte diçka e pazakontë, sepse kurrë më parë një trajner nuk kishte kërkuar të jetonte në qytet. Dhe u pranua shumë mirë. Që aty filluam të zhvillonim punën. Unë besoj shumë tek kjo: të jesh aty, 100% i përfshirë. Kjo është mënyra ime e punës. Është një situatë shumë kërkuese, plot detaje. Përgjegjësia për të qenë trajner i një kombëtareje është e madhe, sepse përfaqëson një vend. Unë u pranova shumë mirë dhe për ne ishte shumë pozitive. U përshtatëm më shpejt dhe kjo ndihmoi shumë edhe në zhvillimin e punës. Sa i përket gjuhës, italishtja funksionon shumë mirë. Një pjesë e federatës komunikon në italisht. Ata thonë se në një periudhë të izolimit të vendit kishin vetëm televizion italian, prandaj brezi më i vjetër e flet dhe e kupton mirë italishten. Brezi më i ri flet më mirë anglisht. Por, në përditshmërinë tonë në federatë, komunikimi është pothuajse gjithmonë në italisht. Kjo më ndihmoi shumë, sepse unë vija nga një eksperiencë në Milano, te Interi, dhe nga studimet në Koverçiano.

Si përfunduat trajner te Shqipëria?

Kjo ftesë më erdhi përmes një agjenti italian që njihja, pas një darke me presidentin e federatës, i cili kërkonte një drejtim të ri. Kombëtarja nuk kishte trajner dhe kontrata kishte përfunduar. Unë pranova ftesën, shkova në Milano për darkë dhe që aty pashë shumë aspekte pozitive. Kisha përvojë me një kombëtare dhe e kuptoja rolin e një trajneri kryesor, sepse kisha punuar me Tite-n për gati tre vite. Kemi bërë së bashku një Kupë Bote dhe një kualifikim tjetër. Unë e kuptoja funksionin dhe erdha me disa kushte të qarta, një prej tyre ishte të jetoja në vend. Kur vizitova, pashë qendrën stërvitore dhe u shqetësova pak nga ekspozimi, por pashë edhe sa e bukur ishte: fushë, palestër, fizioterapi, hoteli shumë afër, gjithçka e organizuar. Federata ishte shumë e strukturuar dhe lojtarët luanin në kampionate të mëdha europiane. Nuk pashë asnjë pikë negative. Pastaj u ula të bisedoja me Dorivën dhe Pablo Zabaletën, që u bashkuan me stafin tonë teknik. Sidomos Doriva, me përvojën e tij, më tha: “Je gati për një kombëtare, pa asnjë problem.” Dhe kështu ndodhi. Ne arritëm ta zhvillonim shumë mirë punën.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL