Ka pasur një periudhë kur Paris Saint-Germaini kërkonte me çdo kusht ta fitonte Champions Leaguen, duke i grumbulluar në skuadër yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, por pa e arritur kurrë objektivin.
Një dështim i bujshëm që kulmoi edhe atëherë kur në të njëjtën dhomë zhveshjeje u bashkuan Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappé, pa arritur ta shfrytëzonin potencialin e tyre maksimal.
Por, pse ky treshe nuk funksionoi siç pritej në fushë? Për këtë ka folur ish-trajneri i tyre, sot selektor i SHBA-ve, Mauricio Pochettino.
Në një intervistë për kanalin në YouTube “We Are The Overlap”, trajneri argjentinas e ka rikthyer në vëmendje vështirësitë e bashkëjetesës në fushë, veçanërisht mes Messit dhe Mbappes, përcjell “Gazeta Express”.
“Messi donte ta ndërtonte aksionin nga prapa, ngadalë, me kombinime dhe pasime, sepse e ka cilësinë për ta kontrolluar topin dhe për të dribluar një, dy apo tre kundërshtarë”, kujtoi ai.

Megjithatë, ky stil përplasej me mënyrën e lojës së Mbappes.
“Nga ana tjetër, Mbappé, kur e fitonim topin dhe sulmonim në thellësi, kërkonte hapësirë. Duhej t’ia jepje topin dhe ta lije të vraponte. Por kur luanim për Messin, Mbappé thoshte: ‘Forca ime është vrapimi’. Nëse luanim për Mbappen, nuk mund të luanim për Messin”, shpjegoi Pochettino.
Një kontrast i qartë filozofish loje që, sipas tij, e bëri të pamundur gjetjen e një ekuilibri të qëndrueshëm.
Në analizën e tij, Pochettino ndalet edhe te periudha e vështirë e përshtatjes së Messit në Paris.
Argjentinasi mbërriti në vitin 2021 pas largimit të dhimbshëm nga Barcelona dhe, siç e pranon trajneri, nuk e pati aspak të lehtë.
“Ambienti në Francë ishte shumë armiqësor ndaj tij. Erdhi pa përgatitje parasezonale, pas një goditjeje të fortë emocionale, dhe nuk ishte e lehtë”, u shpreh ai.
Një miks faktorësh – stile loje të ndryshme, ego të mëdha dhe rrethana të pafavorshme – që përfundimisht e penguan PSG-në ta realizonte ëndrrën evropiane, pavarësisht një tresheje që në letër dukej e pathyeshme. /Gazeta Express

