FIFA ka bërë një ndryshim në çmimin e “Lojtarit të Ndeshjes” në Botëror, zbulohet arsyeja

FIFA ka bërë një ndryshim të rëndësishëm, por të respektueshëm, në çmimin “Lojtari i Ndeshjes” për një numër të përzgjedhur lojtarësh që po marrin pjesë në Kupën e Botës 2026.

Turneu me 48 skuadra do të ketë gjithsej 104 çmime “Lojtari i Ndeshjes” të ndara në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Deri tani janë ndarë 36 çmime për lojtarë si Lionel Messi, Erling Haalandi, Harry Kane dhe Michael Olise, ndërsa ylli i SHBA-së Folarin Baloguni ka fituar dy herë këtë vlerësim.

Fituesi zgjidhet nga tifozët përmes një votimi online dhe çmimi prezantohet nga “Michelob ULTRA”, sponsorët zyrtarë të këtij vlerësimi.

Çdo lojtar që ka fituar çmimin është fotografuar pas ndeshjes me trofeun në dorë, dhe fotot janë publikuar në kanalet zyrtare të Kupës së Botës të FIFA-s.

Në platformën “X”, “Michelob ULTRA” ka shpërndarë gjithashtu përmbajtje për një numër fituesish, ashtu siç bëri edhe në Kupën e Botës për Klube vitin e kaluar.

Megjithatë, duket se është ndjekur një qasje ndryshe për një grup të caktuar lojtarësh.

Për shkak se “Michelob ULTRA” është markë birre dhe shumë prej vendeve pjesëmarrëse në Kupën e Botës janë me shumicë myslimane, ku alkooli konsiderohet i ndaluar, branding-u në fotografitë e tyre është ndryshuar.

Në ceremonitë e “Lojtarit të Ndeshjes” për yllin e dëmtuar të Kanadasë Ismael Kone, portierin e Katarit Mahmoud Abunada dhe talentin e madh të Bregut të Fildishtë Yan Diomanden, logoja e “Michelob ULTRA” nuk ishte e pranishme në sfond.

E njëjta gjë ndodhi edhe për Ramin Rezaeian, Emam Ashour, Ali Olwan, futbollistin e Marokut dhe të Bayern Munichut, Ismael Saibari, si dhe mesfushorin zviceran Johan Manzambin.

Në vend të kësaj, sfondi i tyre shfaqte vetëm mbishkrimin “Superior Player of the Match” dhe emblemën e Kupës së Botës FIFA.

Edhe pse trofeu duket pothuajse identik, logoja e “Michelob ULTRA” nuk është e dukshme.

Marka tjetër e birrës, Budweiser, ishte sponsori zyrtar i çmimit “Lojtari i Ndeshjes” në dy Kupat e fundit të Botës, përfshirë atë të vitit 2018, kur një lojtar refuzoi ta pranonte çmimin.

Portieri i Egjiptit, Mohamed El-Shenawy, e fitoi vlerësimin pas një paraqitjeje të shkëlqyer në humbjen kundër Uruguait.

Megjithatë, kur çmimi iu ofrua, ai refuzoi ta pranonte për arsye fetare.

Një fotografi ku ai dukej sikur ngrinte dorën për ta refuzuar u përhap gjerësisht në rrjetet sociale në atë kohë.

Në Premierligë, çmimi “Lojtari i Ndeshjes” më parë përfshinte një shishe alkooli dhe shumë yje myslimanë, si Yaya Toure, e refuzonin për këtë arsye.

Tani jepet një çmim më i thjeshtë dhe, kur bëhet fjalë për festimet e trofeve, përdoret shampanjë pa alkool.

FIFA ka partneritete shumë fitimprurëse me marka të ndryshme për Kupën e Botës dhe kompanitë që nuk janë në listën e sponsorëve duhet të mbulojnë logot e tyre, përfshirë edhe stadiumet që mbajnë emra markash.

Lojtarët që përdorin kufje të markës “Beats by Dre” janë detyruar gjithashtu të mbulojnë logon kur ndodhen në fushë para ndeshjeve./GazetaExpress/