Edon Zhegrova afër largimit nga Juventus, por jo nga Serie A. Klubi italian interesohet për të

Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të verës, pasi Fiorentina ka shfaqur interesim për reprezentuesin e Kosovës.

Sipas mediumit italian La Nazione, Fiorentina po shqyrton mundësinë e transferimit të 27-vjeçarit, i cili pëlqehet veçanërisht nga trajneri Fabio Grosso.

Tekniku italian e sheh Zhegrovën si një përforcim ideal për krahun e djathtë të sulmit.

Ndërkohë, drejtori sportiv i Fiorentinës, Fabio Paratici, po punon edhe për afrimin e Joao Marios, ndërsa mediat italiane raportojnë se e njëjta formulë mund të përdoret edhe për Zhegrovën.

Sipas Tuttomercatoweb, bëhet fjalë për një huazim me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, një opsion që konsiderohet i favorshëm për të dy klubet.

Zhegrova iu bashkua Juventusit në shtator të vitit të kaluar pas transferimit nga Lille, por sezoni i tij i parë në Torino nuk shkoi sipas pritshmërive.

Ai zhvilloi vetëm 525 minuta në të gjitha garat, pa arritur të shënojë gol apo të regjistrojë asistim.