Leipzig është kthyer në një prej fabrikave më të mëdha të talenteve në futbollin europian. Klubi gjerman, i themeluar vetëm në vitin 2009, ka ndërtuar një model të jashtëzakonshëm biznesi, zbulon, zhvillon dhe më pas shet talentet e tij për shifra marramendëse.
Që prej ngjitjes në Bundesligë në vitin 2016, Laipcig ka arkëtuar qindra milionë euro nga shitjet e lojtarëve, ndërsa emrat më të mëdhenj të futbollit europian kanë trokitur vazhdimisht në dyert e klubit gjerman.
Mançester Junajtid, Çelsi, Liverpul, Mançester Siti, Barcelona dhe së fundmi Real Madrid janë vetëm disa prej gjigantëve që kanë paguar shifra të jashtëzakonshme për të marrë yjet e Laipcigut.
Jan Diomande te Real Madrid – 125 milionë euro
Anësori nga Bregu i Fildishtë, Jan Diomande, ka vendosur rekordin e ri të klubit, duke u transferuar te Real Madrid për një shifër marramendëse prej 125 milionë eurosh. Në moshën vetëm 19-vjeçare, ai u bë shitja më e shtrenjtë në historinë e Laipcigut.
Josko Gvardiol te Mançester Siti – 90 milionë euro
Në verën e vitit 2023, mbrojtësi kroat Josko Gvardiol u transferua te Mançester Siti për 90 milionë euro. Në moshën 21-vjeçare, ai ishte shndërruar në një prej qendërmbrojtësve më të vlerësuar të Evropës.
Benjamin Sheshko te Mançester Junajtid – 76 milionë euro
Sulmuesi slloven Benjamin Sheshko u transferua te Mançester Junajtid për 76 milionë euro, me gjigantët anglezë që investuan fuqishëm për të forcuar repartin ofensiv.
Dominik Szoboszlai te Liverpul – 70 milionë euro
Mesfushori hungarez Dominik Szoboszlai iu bashkua Liverpulit në verën e vitit 2023 për 70 milionë euro. Me energjinë dhe karakteristikat e tij, ai u shndërrua shpejt në një prej pikave të rëndësishme të mesfushës së skuadrës angleze.
Ksavi Simons te Totenhem – 65 milionë euro
Xavi Simons, ish-talenti i akademisë së Barcelonës, bëri emër në Bundesligë me fanellën e Laipcigut. Paraqitjet e tij bindën Totenhemin të investonte 65 milionë euro për kartonin e futbollistit holandez.
Dani Olmo te Barcelona – 61 milionë euro
Pas pesë viteve të suksesshme në Gjermani, Dani Olmo u rikthye te Barcelona në sezonin 2024-2025 për 61 milionë euro. Sulmuesi spanjoll ishte shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Laipcigut.
Nkunku dhe Keita – nga 60 milionë euro
Kristofer Nkunku u transferua te Çelsi për 60 milionë euro, pas një sezoni fantastik në Bundesligë, ku u shpall edhe Lojtari i Vitit. Në të njëjtën shifër, 60 milionë euro, Liverpul kishte paguar më herët për mesfushorin Nabi Keita, në vitin 2018.
Timo Verner te Çelsi – 53 milionë euro
Çelsi shpenzoi gjithashtu 53 milionë euro për të marrë sulmuesin gjerman Timo Verner në vitin 2020, duke vazhduar serinë e shitjeve të mëdha të Laipcigut.
Upamekano te Bajern Mynih– 42 milionë euro
Edhe Bajern Mynih ka bërë “pazar” në Laipcig. Klubi bavarez pagoi 42 milionë euro për mbrojtësin francez Dajot Upamekano.
Openda te Juventusi – 42 milionë euro
Sulmuesi belg Lois Openda është një tjetër emër që i ka sjellë Laipcigut një shumë të konsiderueshme, me transferimin e tij te Juventusi që kap shifrën e 42 milionë eurove.
Ibrahima Konate te Liverpul – 40 milionë euro
Qendërmbrojtësi francez Ibrahima Konate u transferua te Liverpuli për 40 milionë euro, duke u bërë një tjetër produkt i suksesshëm i projektit të Laipcigut.
Kunja dhe Lukman, dy shitje të tjera fitimprurëse
Modeli i klubit gjerman kishte dhënë rezultate edhe më herët. Sulmuesi brazilian Mateus Cunja u transferua te Herta Berlin për 18 milionë euro, ndërsa Ademola Lukman kaloi tek Atalanta për 16 milionë euro.
BILANCI
Nëse merren së bashku këto 14 shitje të mëdha, Laipcig ka arkëtuar një shumë të jashtëzakonshme prej rreth 818 milionë eurosh.
Shifrat tregojnë qartë se klubi gjerman nuk është thjesht një skuadër që konkurron në Bundesligë. Laipcig është shndërruar në një fabrikë të vërtetë talentesh, ku lojtarët zhvillohen dhe më pas shiten te gjigantët e Evropës për shifra marramendëse. Nga 2009 deri te qindra milionë euro në arkë, Laipcig ka ndërtuar një prej modeleve më të fuqishme të zbulimit dhe shitjes së talenteve në futbollin modern.
PANORAMASPORT.AL

