Mbrojtësi i Beninit, Mohamed Tijani, është bërë viral pasi zbuloi se skuadra e tij ka një “plan special” për Lionel Messin kur të përballet me Argjentinën.
Messi do ta zhvillojë ndeshjen e tij të fundit ndërkombëtare me Argjentinën kur të përballet me Beninin, skuadrën e renditur në vendin e 93-të nga FIFA, në “Estadio Mas Monumental” në Buenos Aires të martën mbrëma.
39-vjeçari, i cili është lojtari me më së shumti paraqitje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Albicelestes, me 125 gola në 207 paraqitje, ka thyer vazhdimisht rekorde ndër vite.
Dhe ai potencialisht mund të regjistrojë shifra të reja rekorde në ndeshjen e tij lamtumirëse, pasi Mohamed Tijani pranoi se skuadra e tij “nuk ka nevojë ta markojë” Messin dhe se “nuk ka plane speciale” për ta bërë këtë.
Duke folur për një gazetar të mediumit argjentinas “C5N, Tijani fillimisht e cilësoi Messin si “më të mirin në botë”. Më pas u pyet se si planifikon Benini ta ndalojë Messin në ndeshjen e tij lamtumirëse.
“Nuk kemi nevojë ta markojmë Messin”, u përgjigj Tijani, teksa qëndronte jashtë një dyqani.
“Ne do ta shijojmë këtë ndeshje. Nuk ka asnjë plan special për të mbrojtur kundër Messit, thjesht duhet ta shijojmë këtë ndeshje dhe kaq”, shtoi ai.
Pak çaste më vonë, ish-mbrojtësi i Rayo Vallecanos shprehu admirimin e tij për numrin 10 të Argjentinës.
“Messi, ti je Zoti”, tha ai me krenari.
“Për mua, ai është më i miri në botë, ashtu siç po të them”, u shpreh ai tutje.
Mjeku i skuadrës së Beninit më pas u përfshi në intervistë.
“Ai është më i miri në botë”, bërtiti ai.
“Ai është Zoti i futbollit”, shtoi ai.
Të gjithë bashkëlojtarët e Messit nga skuadra që fitoi Kupën e Botës – të cilët nuk janë tashmë pjesë e përfaqësueses së Argjentinës – janë ftuar të marrin pjesë në ndeshjen e së martës mbrëma, por Paulo Dybala dhe Nahuel Molina nuk do të jenë të pranishëm.
Ndeshja lamtumirëse e Messit do të zhvillohet në orën 20:00 sipas kohës lokale, që do të thotë se përkon me pushimin aktual të kombëtareve, ndërsa një numër kombëtaresh evropiane do të zhvillojnë po atë mbrëmje ndeshjet e tyre të fundit të Ligës së Kombeve për këtë pauzë.
Ndërkohë, Dybala dhe Molina janë penguar të udhëtojnë drejt Argjentinës.
Duke folur për “Sky Sports Italia”, trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, deklaroi se të dy lojtarëve u është kërkuar të qëndrojnë në Romë për shkak të kohës që do t’u duhej të kalonin në ajër përpara ndeshjes së ardhshme të skuadrës së tyre kundër Comos.
“Jemi shumë pranë një ndeshjeje të rëndësishme si ajo e së dielës”, shpjegoi Gasperini.
“Jemi shumë larg Argjentinës dhe dërgimi i tyre atje do të nënkuptonte që ata të udhëtonin për shumë orë kaq pranë ndeshjes, dhe Roma preferoi që kjo të mos ndodhte”, u shpreh ai tutje.
Thuhet se Messi kishte dyshimet e tij për motivet pas ndeshjes së tij lamtumirëse kundër Beninit.
“Vetë Messi nuk ishte shumë i interesuar për idenë e kësaj ndeshjeje për nder të tij, pasi e shihte atë si një tjetër përpjekje të AFA-së për të fituar para, duke përdorur emrin e tij për të siguruar miliona të ardhura”, thuhej në një raport të “Gazzetta dello Sport”.
“Në fund, ai pranoi, por ndeshja ka shkaktuar polemika të konsiderueshme. Për këtë pushim të zgjatur të kombëtareve, AFA vendosi të zhvillojë tri ndeshje miqësore në shtëpi, duke ftuar Bolivinë, Burkina Fason dhe Beninin. Benini ka pranuar të marrë pjesë falas në ndeshjen lamtumirëse të Messit, duke u kënaqur vetëm me mundësinë për të qenë pjesë e një fotografie historike”, thuhej tutje./GazetaExpress/

