A do të vazhdojë me Bayernin, apo do të pensionohet? Neueri e merr vendimin e tij

E ardhmja e Manuel Neuerit te Bayern Munichu mbetet ende tema kryesore në Gjermani, pasi kontrata e tij aktuale skadon këtë verë dhe ai është tashmë 40 vjeç.

Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk po i bëjnë presion për një vendim të shpejtë, duke i lënë kohë të mjaftueshme për të vendosur.

Sipas raportimeve të “Abendzeitung”, Neueri ka arritur marrëveshje për të zgjatur kontratën me kampionët rekord të Gjermanisë deri në qershor 2027.

Thuhet se gjithçka është negociuar mes tij dhe Bayernit dhe tani mungon vetëm njoftimi zyrtar.

Neueri vazhdon të ndihet në formë të mirë dhe gati për të luajtur, ndërsa klubi është i kënaqur me performancat e tij. Për sezonin e ardhshëm, pritet që ai të ndajë minutat në portë me Jonas Urbigun.

Edhe gazetari i njohur i transferimeve Fabrizio Romano ka konfirmuar se Bayerni është optimist për të ardhmen e Neuerit dhe është gati të presë “po”-në e tij përfundimtare.

Sipas tij, klubi tashmë e ka përgatitur kontratën deri në vitin 2027 dhe po pret vetëm vendimin final të portierit legjendar./GazetaExpress/