E ardhmja e Julian Alvarez te Atletico Madrid po shoqërohet me gjithnjë e më shumë pikëpyetje, ndërsa merkatoja po i afrohet fundit.
Skuadra madrilene është rikthyer në stërvitje në qendrën e klubit në Majadahonda, pas barazimit ndaj Villarrealit, por vëmendjen e mori mungesa e sulmuesit argjentinas.
Alvarez nuk mori pjesë në seancën stërvitore të së mërkurës. Sipas klubit, mungesa e tij lidhet me faktin se nuk ishte ndier mirë pas një nate pa gjumë.
Megjithatë, momenti i mungesës ka ushqyer edhe më shumë spekulimet për të ardhmen e tij. Vetëm pak ditë më parë, argjentinasi ishte vërshëllyer nga tifozët e Atletico Madridit në “Metropolitano”, pas raportimeve se ai dëshiron të vazhdojë karrierën te Barcelona.
Por një transferim te katalanasit duket pothuajse i pamundur. Drejtuesit e Atleticos nuk kanë ndërmend ta shesin Alvarez te Barcelona, ndërsa marrëdhëniet mes dy klubeve janë tensionuar më tej pas ankesës së madrilenëve në RFEF për negociata të pretenduara të paautorizuara.
Në këtë situatë, Arsenali mbetet opsioni më konkret për sulmuesin. Për të bindur Atleticon, londinezët duhet të jenë të gatshëm të paguajnë 150 milionë euro në para të gatshme.
Në të kundërt, Alvarez do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës madrilene. Argjentinasi ka kontratë deri në vitin 2030, ndërsa klauzola e tij e lirimit kap shifrën e 500 milionë eurove.
Ndërkohë, Atletico po përballet edhe me probleme të tjera në skuadër. Alexander Sørloth mungon për shkak të një dëmtimi, ndërsa Ademola Lookman dhe Cristian Romero po stërviten të veçuar nga grupi.
Me fundin e afatit kalimtar që po afron, situata rreth Alvarez premton një mbyllje të tensionuar dhe plot zhvillime në Madrid.

