Arber Zeneli, një nga futbollistët më të rëndësishëm që ka veshur fanellën e Kosovës, ka folur hapur për situatën e tij aktuale me përfaqësuesen “dardane”, shkruan Gazeta Express.
Sulmuesi 30-vjeçar, i cili ka grumbulluar 33 paraqitje dhe ka shënuar 9 gola me Kosovën, për mediumin suedez Aftonbladetthotë se gjithmonë ka dëshirë të luajë për vendin e tij, por mes tij dhe Federatës së Futbollit të Kosovës ende ekzistojnë disa mosmarrëveshje.
“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe FFK-së ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat,” u shpreh Zeneli.
Ai zbuloi se problemi ka lindur rreth dy vite më parë, por pa dashur të zbulojë detaje konkrete.
“Dua të diskutoj situatën me personat e përfshirë. Mund të ketë qenë një keqkuptim. Nuk pajtohem me atë që është thënë,” shtoi ai.
Megjithatë, Zeneli e bëri të qartë se nëse palët arrijnë të sqarojnë situatën, ai është i gatshëm të rikthehet te Kosova.
“Absolutisht. Kosova është kombëtarja ime, ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që të qëndrojnë besnikë ndaj atij vizioni,” theksoi sulmuesi.
Një tjetër element interesant është fakti se vëllai i tij, Besfort Zeneli, tashmë është pjesë e Kombëtares së Suedisë, çka krijon mundësinë e një përballjeje të rrallë mes dy vëllezërve në nivele ndërkombëtare.
Kosova dhe Suedia përballen sonte në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të grupit për kualifikimet e Kupës së Botës 2026. Dy skuadrat do të takohen sërish më 13 tetor në “Ullevi” të Goteborgut.

