Argjentina do të nisë Kupën e Botës 2026 si liderja e renditjes në FIFA, por historia nuk është në anën e saj. Asnjë skuadër që ka hyrë në Botëror si numri një në botë nuk ka arritur të shpallet kampione.
“Albicelestet” e Lionel Scalonit fituan kreun e renditjes pas rezultateve të fundit miqësore, duke lënë pas Francën dhe Spanjën. Megjithatë, kjo pozitë shoqërohet me një statistikë të pafavorshme që ka ndjekur favoritët e FIFA-s për dekada.
Në Katar 2022, Brazili ishte numri një, por titullin e fitoi Argjentina. Në Rusi 2018, Gjermania kryesonte renditjen, ndërsa kampione u shpall Franca. E njëjta histori u përsërit edhe në Botërorët e 2014, 2010, 2006, 2002, 1998 dhe 1994.
Në total, tetë edicione të Kupës së Botës kanë përfunduar me dështimin e skuadrës që kryesonte renditjen FIFA para turneut. Tani mbetet të shihet nëse Argjentina do të arrijë ta thyejë këtë “mallkim” dhe të mbrojë titullin botëror.
/GazetaBlioc Sport/

