Arsenal vs Atletico Madrid

Fitorja e radhës e Arsenalit në Ligën e Kampionëve do të jetë veçanërisht historike, dhe “Topçinjtë” mund ta arrijnë atë të martën mbrëma, kur do të përballen me Atletico Madridin në Emirates, në fazën e ligës.

Nëse Mikel Arteta arrin të mposhtë Diego Simeonen në mesjavë, Arsenali do të festojë fitoren e tij të 100-të në historinë e turneut, si dhe do të zgjatë një seri rekord të të gjitha kohërave.

Dy ndeshje, dy fitore, katër gola të shënuar dhe asnjë i pësuar – e vetmja ankesë që mund të kenë tifozët e Arsenalit për fillimin e sezonit 2025-26 në Ligën e Kampionëve është se skuadra e tyre nuk arriti t’i mposhtë Athletic Bilbaon dhe Olympiacosin me një rezultat më të thellë.

Megjithatë, fitoret 2-0 ndaj gjigantëve spanjollë dhe grekë do të thonë që Arsenali është një nga vetëm gjashtë skuadrat që kanë nisur me pikë të plota nga dy ndeshjet e para, ndërsa vetëm Interi nuk ka pësuar gol si ata.

Skuadra e Artetës ndodhet aktualisht në vendin e pestë në tabelën e fazës së ligës, me pikë të barabarta me Qarabagun, por pas Interit, Real Madridit, Paris Saint-Germainit dhe Bayern Munichut për shkak të golavarazhit – një pozitë që do të mjaftonte për kalimin direkt në fazën e 1/16-ës.

Fitorja ndaj Athleticut në ndeshjen hapëse shënoi triumfin e gjashtë radhazi të Arsenalit ndaj skuadrave spanjolle në Ligën e Kampionëve – një arritje që asnjë skuadër tjetër nuk e ka arritur – dhe forma aktuale sugjeron se e shtata mund të vijë të martën.

Në fakt, Arsenali ka arritur pesë fitore radhazi në të gjitha garat, përfshirë suksesin 1-0 ndaj Fulhamit në Premier League të shtunën, ndërsa në shtëpi ata kanë fituar 11 ndeshje radhazi në fazën e grupeve ose të ligës të Ligës së Kampionëve pa pësuar asnjë gol.

Vizitorët nga Atletico – të njohur për mbrojtjen e tyre të hekurt nën drejtimin e Simeones – nuk mund të mburren me një seri të tillë në prapavijë, por “Los Rojiblancos” shënuan më shumë gola në 82 minuta ndaj Eintracht Frankfurtit sesa Arsenali në të dyja ndeshjet e tij evropiane deri tani.

Pas humbjes së dhimbshme në Anfield ndaj Liverpoolit në javën e parë, gjigantët madrilenë reaguan fuqishëm duke shkatërruar skuadrën gjermane 5-1 më 30 shtator, duke u futur në top 10 të renditjes dhe duke ngushtuar diferencën me Manchester Cityn e vendit të tetë në vetëm një pikë.