Bayerni i Kompanys thyen një tjetër rekord të Hansi Flick

Bayern Munich ka siguruar matematikisht titullin kampion në Bundesliga për sezonin 2025/2026, katër javë para përfundimit të kampionatit. Bavarezët vulosën triumfin pas fitores 4-2 ndaj VfB Stuttgart.

Ky është titulli i dytë radhazi për trajnerin Vincent Kompany në krye të ekipit, duke konfirmuar dominimin e plotë të skuadrës në futbollin gjerman.

Sezoni aktual ka qenë historik për Bayernin, që ka thyer rekorde të shumta. Ekipi ka realizuar plot 160 gola në të gjitha kompeticionet, duke lënë pas rekordin e mëparshëm prej 159 golash të vendosur në sezonin 2019/2020, kur skuadra drejtohej nga Hansi Flick.

Me katër ndeshje ende për t’u zhvilluar në kampionat, si dhe angazhimet në Kupën e Gjermanisë dhe në Champions League, bavarezët pritet ta thellojnë më tej këtë rekord.

Gjithashtu, Bayern ka tejkaluar edhe një rekord historik që daton nga vitet ’70, duke arritur në 109 gola vetëm në kampionat, krahasuar me 104 të realizuara në atë periudhë.