Komiteti Teknik i Referëve në Spanjë ka konfirmuar se Real Madridi përfitoi nga një vendim i gabuar në ndeshjen ndaj Racing Santanderit, kur gjyqtari José Luis Munuera Montero akordoi penallti pas kontaktit mes Kylian Mbappes dhe Matteo Pratit.
Në emisionin zyrtar të RFEF-së, “Tiempo de Revisión”, është analizuar aksioni i minutës së 10-të, ku sulmuesi francez u rrëzua në zonë pas një kontakti me mbrojtësin kundërshtar, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas vlerësimit të gjyqtarëve, Prati e vendosi krahun përpara Mbappes, por pa ushtruar forcë.
Për këtë arsye, ata konstatuan “mungesë të qartë të lidhjes shkak-pasojë”, duke vlerësuar se nuk kishte bazë për të akorduar penallti.
Gabimi nuk ishte vetëm i gjyqtarit kryesor, por edhe i VAR-it. Sipas CTA-së, Luis Mario Milla është dashur ta ftonte Munuera Monteron për ta rishikuar aksionin në monitor dhe për ta korrigjuar vendimin.
Penalltia u shndërrua në gol nga vetë Mbappe dhe ia dha Real Madridit epërsinë në një ndeshje që përfundoi me fitoren 3:0 të skuadrës madrilene. /Gazeta Express

