Liverpool, kampionët në fuqi dhe liderët aktual të Premier League, udhëtojnë drejt Burnley këtë të diel për sfidën e parë të ditës në elitën angleze.
Skuadra e Arne Slot është e vetmja që ka ruajtur 100% e pikëve deri tani, ndërsa Burnley është përshtatur më mirë se sa pritej me ritmin e Premier League.
Gushti ishte i përsosur për kampionët, pasi fituan tri ndeshjet e para, përfshirë edhe suksesin ndaj Arsenalit, një rival i drejtpërdrejtë për titullin.
Tani, Liverpool synon të fitojë katër ndeshjet e para për vetëm herën e tretë në epokën e Premier League, pas sezoneve 2018-19 dhe 2019-20.
Një fitore do të shënonte gjithashtu rastin e parë në historinë e futbollit anglez që kampionët në fuqi arrijnë ta nisin me katër fitore radhazi për sezonin e tretë rresht.
Këtë e ka arritur Manchester City në dy sezonet e fundit, dhe Liverpool kërkon ta vazhdojë këtë traditë në sezonin aktual.
Liverpool shihet favorit absolut, jo vetëm për shkak të diferencës së dukshme me Burnley, por edhe për shkak të afrimit të madh të verës, Alexander Isak, për 125 milionë paund.
Me gol në 37 ndeshje radhazi në ligë, një rekord i ri i klubit, duket e vështirë që ndonjë mbrojtje t’i ndalë ata në këtë moment.
Statistikat e fundit janë gjithashtu në anën e tyre: Liverpool ka fituar tetë nga nëntë vizitat e fundit në Turf Moor, përfshirë gjashtë rresht, dhe Burnley rrezikon të bëhet vetëm skuadra e katërt në histori që humb shtatë herë radhazi në shtëpi ndaj Liverpool.

