Chelsea vs Liverpool

Liverpool mund ta ketë humbur kreun e Premier League deri në momentin kur të zbresë në fushë ndaj Chelseat, të shtunën mbrëma në “Stamford Bridge”.

Skuadra e Arne Slot po fillon të tregojë gjithnjë e më shumë çarje në lojën e saj, ndërsa Blutë arritën vetëm fitoren e dytë në gjashtë ndeshje, duke mposhtur në mesjavë ekipin e Jose Mourinhos, Benficën.

Chelsea ishte etiketuar si “kuaj të zinj” për titullin e Premier League këtë sezon, por forma e paqëndrueshme ka bërë që disa të tërhiqen nga parashikimet e tyre. Nën drejtimin e Enzo Marescës, Blutë kanë regjistruar dy fitore, dy barazime dhe dy humbje deri tani.

Disiplina e dobët u kushtoi shtrenjtë edhe javën e kaluar kundër Brighton, ku Chelsea kishte kontrollin e lojës derisa kartoni i kuq i Trevoh Chalobah ndryshoi gjithçka. Në fund, Seagulls fituan 3-1 falë dopietës së Danny Welbeck.

Chelsea ka marrë vetëm një pikë nga tre ndeshjet e fundit në kampionat, pasi kishte siguruar shtatë nga nëntë të parat. Në renditje, ata ndodhen tashmë shtatë pikë larg kreut dhe po përballen me mungesa të shumta për shkak të dëmtimeve e kartonëve.

Që nga fillimi i sezonit 2024-25, Blutë kanë marrë plot 118 kartonë – 114 të verdhë dhe katër të kuq – më shumë se çdo skuadër tjetër. Madje edhe në fitoren 1-0 ndaj Benficës në Champions League, ata nuk e mbyllën ndeshjen me 11 lojtarë, pasi Joao Pedro u ndëshkua me karton të kuq në fund.

Megjithatë, ajo ndëshkim nuk ndikoi në rezultat dhe Chelsea tani kërkon të shmangë tre humbje radhazi në Premier League për herë të parë që nga pranvera e vitit 2023, kur në stol ishte Frank Lampard.

Nga ana tjetër, edhe kampionët në fuqi Liverpool janë në rrezik për një disfatë të tretë radhazi në të gjitha kompeticionet, teksa nuk po duken aspak si skuadra që dominoi sezonin e kaluar.

Në fundjavë, Crystal Palace u shpërblye me fitoren e merituar, pavarësisht përpjekjes së fundit të Liverpool, pasi goli i jashtëzakonshëm i Eddie Nketiah vulosi humbjen e parë të “The Reds” në kampionat këtë sezon – një rezultat që shumë tifozë e kishin parandjerë.