E ardhmja e Rashfordit te Barça merr ‘kahje’ tjetër, pas vendimit të Hansi Flickut

Ka dalë një përditësim mbi të ardhmen e Marcus Rashford te Barcelona, në mes të lajmeve që lidhen me trajnerin Hansi Flick.

Rashford u transferua te Blaugranët në formë huazimi gjatë verës, pasi u la jashtë planeve te Manchester United – çka kishte sjellë edhe huazimin e tij te Aston Villa në pjesën e dytë të sezonit të kaluar. Ai vendosi të nisë një kapitull të ri në Kataloni dhe ka qenë në formë shumë të mirë në ambientin e ri, me shtatë gola dhe 11 asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat.

Rashford ka luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe në qendër për Barcelonën dhe duket një kandidat i sigurt për t’u ftuar nga Thomas Tuchel në përfaqësuesen e Anglisë për Kupën e Botës verën e ardhshme.

Ai duket se ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me Flickun, i cili gëzon mbështetje të plotë nga drejtuesit e Barcelonës – aq sa klubi po mendon të thyejë traditën me të.

Sipas një raportimi nga “BILD”, përmes “Goal”, Barcelona po “përgatit një ofertë konkrete për ta zgjatur qëndrimin e Flickut përtej kontratës aktuale”, deri në vitin 2028.

Zakonisht, klubi nuk ofron kontrata të reja për trajnerët në mes të sezonit dhe preferon të presë deri në fund të kampionatit, por thuhet se drejtuesit janë shumë të kënaqur me punën që po bën Flick. Po ashtu, ata janë jashtëzakonisht të kënaqur edhe me paraqitjet e Rashford që nga ardhja e tij në huazim.

Barcelona ka opsionin ta blejë Rashfordin përfundimisht për një shifër prej 28 milionë paundësh dhe, sipas “Mundo Deportivo”, gjasat që kjo të ndodhë janë rritur ndjeshëm. Klubi është më i prirur ta blejë sesa jo, megjithëse reagimi i tij ndaj rikthimit në formë të plotë të Raphinhas në pjesën e dytë të sezonit do të jetë vendimtar.

Raporti thekson: “Kandidatura e tij për t’u blerë përfundimisht verën e ardhshme dhe për t’u bërë lojtar i Barcelonës është forcuar, megjithëse mbetet për t’u parë paraqitja e tij në pjesën e dytë dhe vendimtare të sezonit, ashtu si edhe reagimi i tij ndaj minutave më të pakta tani që Raphinha është plotësisht i rikuperuar dhe në formën e tij më të mirë. Në çdo rast, realiteti është se ai është përshtatur shumë mirë me klubin dhe ekipin, dhe ka kënaqësi të brendshme për rezultatet e huazimit të tij në këta muaj të parë të sezonit”>

Rashford po e shijon jetën si në fushë ashtu edhe jashtë saj te Barcelona, duke e përshkruar përvojën e tij si “të mrekullueshme” dhe duke deklaruar se “klubi më i madh në Spanjë është një nder i madh”.

Duke folur së fundmi për situatën e tij, drejtori sportiv Deco i tha “Cadena SER” se “nuk është koha për të marrë ndonjë vendim lidhur me të ardhmen e Rashford”, por theksoi se klubi është “i kënaqur me të” dhe po shijon faktin që sulmuesi “po kontribuon shumë për ekipin”./GazetaExpress/