E mbani mend Victor Moses? Ish-kampioni i Premierligës surprizon me klubin e ri

Victor Moses është rikthyer sërish në vëmendje, pasi pas gjashtë muajsh pa ekip ka vendosur të nisë një aventurë të re në karrierën e tij.

Futbollisti nigerian ka firmosur me një klub nga Kazakistani, duke u transferuar te Kaysar Kyzylorda, ku ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare. Ky hap shënon një kapitull të ri për ish-yllin e Premierligës, larg kampionateve elitare të Europës.

Moses mbahet mend për karrierën e pasur në skuadra të njohura si Chelsea, Liverpool dhe Inter. Me Chelsean, ai arriti sukseset më të mëdha, duke fituar titullin e Premierligës si dhe dy trofe të Ligës së Evropës, ku ishte një nga lojtarët kyç në skemat e ekipit londinez.

Tashmë, në moshë më të pjekur, Victor Moses do të provojë veten në futbollin kazak, duke synuar të japë kontribut me eksperiencën e tij dhe të rikthejë formën në një ambient krejtësisht ndryshe nga ai ku u bë i famshëm.