Barcelona dhe Real Madridi kanë zhvilluar beteja për shumë transferime ndër vite, dhe episodi më i fundit është tashmë këtu. Të dy klubet janë të interesuara të forcojnë ekipet e tyre respektive B dhe kanë vënë në shënjestër të njëjtin lojtar: Sergio Martinez.
Barcelona e regjistroi interesimin për Martinezin më herët gjatë këtij muaji dhe në atë rast ishte në garë me Villarrealin. Tani katalanasit pritet të përballen me Real Madridin, i cili gjithashtu ka punuar në muajt e fundit për forcimin e kategorive të reja.
Sipas Diario AS, si Barcelona ashtu edhe Real Madridi kanë paraqitur oferta te Racing de Santander për Martinezin, i cili javët e fundit ka humbur hapësirë te klubi i Segunda Division. Ideja e të dy klubeve është që të arrihet një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje, megjithatë, nëse është e nevojshme, janë të gatshëm ta sigurojnë transferimin e tij edhe në mënyrë të përhershme.
Martinez, i cili është vetëm 18 vjeç, shihet si një talent i madh, por me interesimin e Barcelonës dhe Real Madridit, mund të jetë e vështirë për Racingun ta mbajë. Ai është mesfushor që mund të luajë si “6”, “8” apo “10”, dhe kjo shumëfunksionalitet është një nga arsyet pse klubet e “El Clasico”-s janë gati të përballen kokë më kokë.

