Legjenda kamerunase, Samuel Eto’o i ka dërguar një mesazh urimi sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, pas arritjes së tij historike si golashënuesi më i mirë i Mallorcas në La Liga.
Në mesazhin e tij, Eto’o e përgëzoi Muriqin për punën dhe përkushtimin, duke i kërkuar të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe ta bëjë edhe më të fortë klubin spanjoll, shkruan Indeksonline
“Përshëndetje Vedat nga Kameruni, jam i lumtur për çka ke arritur. E di që ke punuar shumë, por vazhdo kështu. Bëje Mallorcan tonë më të fortë. Urime ty dhe bashkëlojtarëve tuaj që të ndihmuan në këtë rekord”, ishte mesazhi i Eto’os.
Ndërkohë, Vedat Muriqi ka hyrë në histori të Mallorcas, duke u bërë golashënuesi më i mirë i klubit në La Liga. Me golat e shënuar, ai ka kaluar vetë Samuel Eto’on në këtë renditje historike, duke arritur në 55 gola kundrejt 54 të ish-sulmuesit kamerunas me fanellën e Mallorcas në kampionatin spanjoll./Indeksonline/

