Fakt Interesant: Nëntë klube të Superligës kineze e kanë nisur sezonin me minus pikë, ja arsyeja

Më shumë se gjysma e ekipeve që garojnë këtë sezon në Superligën kineze (CSL) nisën kampionatin e 2026-ës me pikë negative.

Sezoni i ri i CSL nisi të premten nën rrethana të pazakonta, pasi nëntë klube filluan me zbritje pikësh, përfshirë kampionin Shanghai Port dhe vendin e dytë të 2025-s, Shanghai Shenhua.

Në janar, Kina ndaloi 73 persona nga puna në futboll për jetë dhe u hoqën pikë nga 13 klube, përfshirë nëntë nga Superliga kineze, pas një hetimi mbi manipulimin e ndeshjeve, bixhozin dhe korrupsionin në industrinë e futbollit.

Një deklaratë nga Federata e Futbollit e Kinës tha se këto sanksione synonin “të mbanin disiplinën në industrinë e futbollit, të pastronin ambientin dhe të ruanin konkurrencën e drejtë.”

“Zbritjet e pikëve dhe gjobat financiare të vendosura ndaj klubeve bazohen në shumën, natyrën, seriozitetin dhe ndikimin social të transaksioneve të pahijshme në të cilat çdo klub ka qenë i përfshirë,” shtuan ata.

Një shikim i shpejtë i tabelës së ligës para hapjes së sezonit të premten midis Chengdu Rongcheng dhe Shenzhen Peng City tregonte se dy ekipe ishin goditur me zbritje 10-pikëshe – Shanghai Shenhua dhe Tianjin Jinmen Tiger.

Qingdao Hainiu u zbrit me shtatë pikë para humbjes së tyre kundër Yunnan Yukun të shtunën.

Shandong Taishan dhe Henan ishin mbi Qingdao me minus gjashtë pikë, ndërsa katër ekipe – Zhejiang, Wuhan Three Towns, Shanghai Port dhe Beijing Guoan – nisën kampionatin me minus pesë pikë.

Përveç këtyre, ish-mesfushori i Everton, Li Tie, ishte ndër 73 personat e ndaluar për jetë nga puna në futboll.

Vitin e kaluar, ish-trajneri i kombëtares së Kinës pranoi manipulimin e ndeshjeve, pranimin dhe dhënien e ryshfeteve për të marrë postin kryesor të trajnerit.

Ai gjithashtu pranoi në mars se kishte marrë mbi 16 milionë dollarë ryshfete, duke filluar nga 2015, kur ishte ndihmës trajner te Hebei China Fortune, deri më 2021, kur dha dorëheqjen si trajner i kombëtares.

Në një deklaratë, Li Tie tha: “Jam shumë i penduar. Duhet të kisha qëndruar i përqendruar dhe të ndiqja rrugën e duhur. Kishte disa gjëra që, në atë kohë, ishin praktika të zakonshme në futboll. Duke arritur ‘sukses’ përmes këtyre mënyrave të pahijshme, u bëra gjithnjë e më i paduruar dhe i etur për rezultate të shpejta.
Për të arritur performancë të mirë, u detyrova të ndikoj tek gjyqtarët, të jap ryshfete lojtarëve dhe trajnerëve kundërshtarë, ndonjëherë përmes marrëveshjeve të klubeve me klube të tjera”.

Ai shtoi: “Kjo sjellje bëhet zakon, dhe me kalimin e kohës ndodh edhe një lloj varësie nga këto praktika”./GazetaExpress/