Sunderland ka marrë një lajm të keq në një moment delikat të sezonit. Kapiteni i skuadrës, Granit Xhaka, do të mungojë të paktën dy javë për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, fakt i konfirmuar nga trajneri Regis Le Bris.
Mesfushori shqiptar, i cili iu bashkua Sunderlandit gjatë verës nga Bayer Leverkusen në një marrëveshje që mund të arrijë vlerën deri në 20 milionë euro, kishte qenë titullar absolut deri tani, duke luajtur çdo minutë në këtë edicion të Premier League.
Xhaka mungoi për herë të parë në humbjen 3-1 ndaj West Ham United, çka ngriti menjëherë shqetësime te stafi teknik. Pas ndeshjes, trajneri Le Bris sqaroi situatën e kapitenit të tij: “Ai ka një dëmtim në kyçin e këmbës. I duhen të paktën dy javë për t’u rikuperuar dhe më pas do të bëjmë një tjetër vlerësim mjekësor,” deklaroi trajneri francez.
Granit Xhaka ka qenë një nga shtyllat kryesore të Sunderlandit këtë sezon, duke u aktivizuar në 23 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku ka kontribuar me një gol dhe pesë asistime.
Gjatë sfidës ndaj West Hamit, përfaqësuesi i Zvicrës u përfshi edhe në një përplasje verbale me disa tifozë vendas, teksa ndodhej pranë stolit të Sunderlandit, situatë që solli një ndërprerje të përkohshme të lojës.
Mungesa e Xhakës pritet të jetë një goditje e ndjeshme për Sunderlandin, i cili po lufton për stabilitet dhe vazhdimësi në mesin e tabelës së Premier League.

