Pep Guardiola ka konfirmuar për herë të parë publikisht se ka zhvilluar bisedime me Federatën Italiane të Futbollit për mundësinë e marrjes së drejtimit të Kombëtares së Italisë.
Trajneri spanjoll ka pranuar se oferta për të drejtuar një përfaqësuese me historinë e Italisë ishte një nder i jashtëzakonshëm për të, por në atë periudhë kishte nevojë të ndalonte dhe të merrte një pushim, shkruan Indeksonline
“Ishte një nder. Madje, pothuajse ndihesha në siklet të thosha jo ndaj një kombëtareje si Italia, ndaj një vendi si Italia”, ka deklaruar Guardiola.
Ai ka theksuar se fakti që ishte konsideruar si një kandidat për ta drejtuar Italinë përbënte një nga nderimet më të mëdha të karrierës së tij.
“Por ata më kontaktuan në një moment kur unë kisha nevojë të ndalesha. Nëse do të më kishin kontaktuar pas një apo dy vitesh, me shumë mundësi do ta kisha pranuar ofertën”, ka zbuluar tekniku spanjoll.
Kështu, Guardiola ka konfirmuar se Italia ishte një mundësi konkrete në karrierën e tij, por koha e këtij propozimi ndikoi në vendimin për të mos e marrë drejtimin e “azzurrëve”./Indeksonline/

