Holanda vs Japonia

Më në fund duke nisur aventurën e tyre në Kupën e Botës 2026, Holanda dhe Japonia do të përballen në Dallas të dielën mbrëma në ndeshjen e parë të Grupit F.

Në një grup ku bëjnë pjesë edhe Suedia dhe Tunizia, të dyja kombëtaret synojnë një vend në dy pozitat e para, që garanton kualifikimin në fazën eliminatore.

Pas arritjes në gjysmëfinalet e Euro 2024, si dhe çerekfinaleve të Botërorit të fundit dhe UEFA Nations League, Holanda tani synon të shkojë edhe më larg dhe të fitojë më në fund titullin e shumëpritur botëror.

Ky do të jetë pjesëmarrja e 12-të e Holandës në Kupën e Botës, ndërsa asnjë kombëtare tjetër nuk ka përfunduar më shumë herë nënkampione pa e fituar trofeun, pas humbjeve në finalet e viteve 1974, 1978 dhe 2010.

Detyra e parë është kalimi i fazës së grupeve, dhe historia sugjeron se “Oranje” duhet ta arrijnë këtë pa probleme, pasi nuk kanë humbur asnjë ndeshje në fazën e grupeve të Botërorit që nga viti 1994.

Në atë vit, Ronald Koeman ishte kapiten i Holandës në Botërorin e zhvilluar në SHBA, ndërsa tani ai udhëheq kombëtaren si trajner në një tjetër Kupë Bote të organizuar në Amerikën e Veriut.

Pas një fushate kualifikuese jo bindëse, ku mezi kaluan Poloninë, holandezët e mbyllën miqësoren e fundit para turneut me humbje në “De Kuip”, duke parë Algjerinë t’i japë fund serisë së tyre prej 10 ndeshjesh pa humbje.

Më pas ata udhëtuan drejt Nju Jorkut për një ndeshje stërvitore me dyer të mbyllura kundër Uzbekistanit në stadiumin “Icahn”.

Vetëm dy penallti të Cody Gakpo siguruan fitoren ndaj debutuesve të Botërorit, me golin e dytë që erdhi thellë në kohën shtesë, ndaj Koeman do të kërkojë një paraqitje më bindëse të dielën.

Ndërkohë, Japonia, një forcë dominuese në futbollin aziatik, po përgatitet për paraqitjen e saj të tetë radhazi në Kupën e Botës, megjithëse ende nuk ka arritur të kalojë fazën e 1/8 së finales, as kur ishte bashkëorganizatore në vitin 2002.

E renditur në vendin e 18-të në botë, vetëm 10 pozita pas Holandës, skuadra e drejtuar nga Hajime Moriyasu vjen në formë të shkëlqyer, me gjashtë fitore radhazi në ndeshje miqësore.

Duke mposhtur edhe Brazilin dhe Anglinë gjatë kësaj periudhe, “Samurai Blue” kanë krijuar një momentum të madh pas një fushate kualifikuese mbresëlënëse.

Me 54 gola të shënuar, Japonia realizoi më shumë se çdo kombëtare tjetër në kualifikimet aziatike dhe ishte skuadra e parë që iu bashkua tre vendeve organizatore në fazën finale të Botërorit.

Për më tepër, japonezët pësuan vetëm tre gola gjatë gjithë kualifikimeve, duke treguar organizim dhe disiplinë të lartë, gjë që ka rritur shpresat për një ecuri të gjatë në këtë turne.

Japonia shkëlqeu kundër kundërshtarëve të fortë evropianë në Botërorin e Katarit 2022, duke mposhtur Gjermaninë dhe Spanjën në fazën e grupeve, përpara se të barazonte me Kroacinë dhe të eliminohej në mënyrë të dhimbshme pas penalltive.

Tani, Japonia do të përballet me Holandën në një Kupë Bote për vetëm herë të dytë në histori, pas humbjes 1-0 në vitin 2010.