Portugalia do të synojë të vazhdojë me fitore të tjera në nisje të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, kur të udhëtojë drejt Hungarisë në Grupin F të martën mbrëma.
Skuadra e Roberto Martinez debutoi me një fitore bindëse 5-0 ndaj Armenisë, duke u ngjitur në krye të grupit, ndërsa vendasit u ndalën në një barazim 2-2 me Republikën e Irlandës në përballjen e fundit.
Hungaria e nisi vrullshëm kundër Irlandës, duke shënuar dy herë brenda 15 minutave me anë të Barnabas Varga dhe Roland Sallai, por vendasit reaguan dhe siguruan një pikë falë golit të Adam Idah në minutat shtesë.
Kombëtarja hungareze ka një histori të madhe në Botëror, duke qenë dy herë nënkampione (1938 dhe 1954), si dhe ka arritur deri në çerekfinale në vitet 1962 dhe 1966. Megjithatë, ata nuk janë kualifikuar më në fazën finale që nga viti 1986, ndaj kjo fushatë mbart rëndësi të jashtëzakonshme.
Hungaria ka qenë pjesë e tre Europianeve të fundit, duke mos kaluar grupet në edicionet 2020 dhe 2024, dhe përballë një Portugali të fuqishme, rruga drejt kualifikimit nuk do të jetë aspak e lehtë.
Historia është gjithashtu kundër tyre: Portugalia ka fituar 10 dhe ka barazuar katër nga 14 përballjet e mëparshme, përfshirë këtu edhe një fitore 3-0 në qershor 2021, në ndeshjen e fundit mes dy vendeve.
Selecao das Quinas nuk pati nevojë të shpenzonte shumë energji në ndeshjen hapëse ndaj Armenisë, ku Joao Felix dhe Cristiano Ronaldo shënuan nga dy gola secili, ndërsa Joao Cancelo vulosi fitoren e thellë.
Pas zhgënjimit të eliminimit në çerekfinale të Euro 2024 dhe Kupës së Botës 2022, Portugalia e sheh këtë cikël si një mundësi për të treguar fuqinë e saj dhe për të siguruar kualifikimin pa dridhje drejt turneut në Amerikën e Veriut.

