Inter Milan dhe Cremonese, të barabarta në pikë në renditjen e Serie A, do të përballen të shtunën në “San Siro”.
Dy klubet lombarde zakonisht janë në pole të kundërta, por këtë herë tabela i ka afruar: Inter ka pësuar tashmë dy humbje, ndërsa Cremonese po përshtatet shumë mirë me jetën në elitë.
Pas disfatës shokuese ndaj Udineses dhe humbjes dramatike në “Derby d’Italia” kundër Juventusit, rezultatet e fundit kanë stabilizuar Interin, me epokën e Cristian Chivut që po merr formë.
Fillimisht, zikaltërit fituan 2-0 në Champions League kundër Ajaxit, më pas mposhtën “macen e zezë” Sassuolon, dhe javën e kaluar triumfuan ndaj Cagliarit në Sardenjë.
Me formën vendase në rritje, Interi u rikthye sërish në Europë të martën, duke mirëpritur Slavia Pragën në “San Siro”.
Zgjatën serinë pa humbje në shtëpi në Champions League në 17 ndeshje, duke fituar bindshëm: Lautaro Martinez përfitoi një dhuratë për golin e parë, Denzel Dumfries shënoi të dytin, ndërsa Martinez vulosi rezultatin 3-0 pas një ore lojë.
Tani, Chivu dhe djemtë e tij kthehen tek detyra kryesore: të qëndrojnë sa më afër rivalëve kryesorë për titull, Napolit, Juventusit dhe Milanit, duke synuar fitoren e pestë radhazi para pushimit të kombëtareve.
Historikisht, diferenca mes këtyre dy klubeve është e madhe. Interi e ka ndeshur Cremonesen vetëm dy herë këtë shekull – në sezonin 2022-23 – duke fituar të dyja takimet, ku Martinez shënoi në secilin.
Megjithatë, zikaltërit duhet të jenë të kujdesshëm. Pak kush do të mendonte që Cremonese do të vinte në “San Siro” me të njëjtën kuotë pikësh, por ata kanë grumbulluar po ashtu nëntë, duke e bërë këtë duel më të hapur sesa mund të dukej në letër.

