Ishte i tmerrshëm – Scholes emëron lojtarin më të dobët që ka parë te United

Legjenda e Manchester United, Paul Scholes, ka zbuluar se kush është, sipas tij, transferimi më i dobët që ka parë ndonjëherë te “Djajtë e Kuq”, gjatë një paraqitjeje në emisionin The Overlap.

Mes shumë emrave të dështuar ndër vite, përfshirë Antony, Alexis Sanchez apo Juan Sebastian Veron, Scholes u ndal te ish-portieri australian Mark Bosnich, i cili u rikthye te United në vitin 1999 nga Aston Villa.

Scholes e kritikoi ashpër Bosnich për mungesë profesionalizmi, duke treguar se ai lodhej shpejt në stërvitje dhe kishte probleme serioze me goditjen e topit. “Ishte zhgënjim total. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë,” u shpreh ish-mesfushori anglez.

Bosnich zhvilloi vetëm 23 ndeshje në Premier League me United përpara se të largohej drejt Chelseat në vitin 2001.

Në të njëjtën intervistë, Scholes foli edhe për transferimin më të mirë në historinë e klubit, duke veçuar Eric Cantona për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm, por në fund e cilësoi Wayne Rooney si afrimin më të madh të të gjitha kohërave, duke përmendur pesë tituj kampionë dhe 253 gola me fanellën e United. /GazetaExpress