Juventus vs Inter

Italia do të ndalet të shtunën mbrëma, kur gjigantët e Serie A, Juventus dhe Inter Milan, të përplasen në “Allianz Stadium” të Torinos për Derby d’Italia-n e parë të sezonit.

Juventusi hyn në këtë përballje me pikë të plota nga dy ndeshjet e para, ndërsa Interi ka humbur terren pas një hapi fals përpara pushimit ndërkombëtar.

Ky rivalitet, i cili daton që nga viti 1909, sjell përballë dy klubet me më shumë tituj kampion në Itali, duke premtuar një tjetër sfidë elektrizuese.

Takimi i kaluar mes tyre në Milano dhuroi spektakël të paharrueshëm, ku Kenan Yildiz i Juves shënoi dy herë në minutat e fundit për të siguruar një barazim 4-4 plot emocione.

Në përballjen e kthimit në shkurt, ishte Francisco Conceicao ai që vendosi ndeshjen me një gol të vetëm, duke konfirmuar se bardhezinjtë mbeten të fortë në shtëpi kundër zikaltërve.

Statistikat flasin në favor të Juventusit, i cili ka humbur vetëm një nga 11 takimet e fundit në kampionat kundër Interit në Torino.

Forma e bardhezinjve është gjithashtu pozitive, pasi skuadra e Igor Tudorit ka nisur sezonin me dy fitore ndaj Parmës dhe Genoas.

Pas një sezoni të trazuar jashtë fushës, Tudor arriti ta çonte Juven në vendin e katërt, ndërsa tani duket se synon hapur rikthimin te Scudetto.

Me Napolin kampion që kërkon ta mbrojë fronin, as Juventusi dhe as Interi nuk mund të lejojnë gabime në një garë që pritet të jetë e ashpër deri në fund.