Brazili ka humbur një lojtar që pritej të ishte protagonist nën urdhrat e Karlo Ançelotit gjatë Botërorit 2026. Mbrojtësi i djathtë, Ueslei, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në aktivitet si pasojë e dëmtimit që pësoi në miqësoren ndaj Egjiptit.
Lojtari i Romës ndjeu shqetësime në këmbën e majtë dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor, duke u zëvendësuar që në minutën e 16 të ndeshjes, ndërsa më pas u ul në stol i përlotur, duke lënë të kuptohej se ishte diçka shumë serioze.
Sot janë kryer disa teste mjekësore shtesë dhe ka rezultuar se dëmtimi i Ueslei nuk mund të rikuperohet gjatë Botërorit, ndaj është vendosur që ai të largohet nga grumbullimi vetëm pak ditë nga aktiviteti.
Për çudinë e të gjithëve, Ançeloti ka marrë një vendim të pazakonte për zëvendësimin e mbrojtësit të djathtë, pasi nuk ka zgjedhur asnjë lojtar tjetër që luan direkt në këtë pozicion, për të cilin nuk kishte alternativa përveç Ueslei edhe në grupin aktual. Ai ka preferuar që të afrojë mesfushorin e Atalantës, Ederson, duke lënë të kuptohet se në krahun e djathtë të prapavijës mund të luante njëri prej qendërmbrojtësve si Danilo apo Ibanjez.
PANORAMASPORT.AL

