Kosova pret Turqinë në Stadiumi Fadil Vokrri, në një finale play-off të UEFA-s, ku në lojë është një vend në FIFA World Cup 2026.
Dardanët e siguruan finalen pas një fitoreje spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë, ndërsa Turqia kaloi Rumaninë me rezultat minimal 1-0.
Kosova pati një kampanjë shumë të mirë në kualifikime, duke përfundu e dyta në grup, madje mbi Suedinë dhe Slloveninë. Skuadra e drejtuar nga Franco Foda arriti 3 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje – një 4-0 ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë.
Kjo humbje bëri që Kosova të mbetet 3 pikë pas vendit të parë dhe të detyrohet me kërku kualifikimin përmes play-off-it. Në gjysmëfinale, ndaj Sllovakisë, siguruan një fitore dramatike 4-3, dhe tash janë vetëm një hap larg historisë – kualifikimit të parë ndonjëherë në Botëror.
Në anën tjetër, Turqia e drejtuar nga Vincenzo Montella arriti në finale pasi mposhti Rumaninë 1-0, falë golit të Ferdi Kadioglu.
Edhe Turqia pati formë të mirë në kualifikime, me vetëm një humbje – një disfatë të rëndë 6-0 ndaj Spanjës. Në ndeshjet tjera, siguruan 4 fitore dhe 1 barazim, duke përfundu rehat në vendin e dytë.
Turqia synon rikthimin në Botëror pas një mungese të gjatë, pasi herën e fundit mori pjesë në vitin 2002, kur arriti vendin e tretë.
Historikisht, Turqia ka avantazh ndaj Kosovës, duke fitu 3 përballjet e fundit mes tyre, përfshirë një fitore 4-1 në vitin 2017.
Fituesi i kësaj finaleje do t’i bashkohet SHBA-së, Australisë dhe Paraguait në Grupin D të Botërorit 2026.

