Kush do ta zëvendësojë Iranin në Botërorin 2026?

Situata politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja edhe në futbollin ndërkombëtar.

Sipas deklaratave të fundit nga autoritetet iraniane, kombëtarja e Iranit mund të mos marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, pavarësisht se është kualifikuar për turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali, deklaroi se situata e krijuar pas konfliktit të fundit dhe tensioneve me SHBA-në e bën të pamundur pjesëmarrjen e ekipit në turne, përcjell “Gazeta Express”.

Konflikti dhe pasiguria janë përmendur si arsyet kryesore të këtij vendimi të mundshëm.

Nëse Irani tërhiqet zyrtarisht, do të krijohet një problem i madh organizativ për FIFA-n.

Kombëtarja iraniane ishte pjesë e Grupit G, së bashku me: Belgjikën, Egjiptin dhe me Zelandën e Re.

Në këtë rast, ndeshjet që do të preken drejtpërdrejt janë tri përballjet e planifikuara në fazën e grupeve: Irani –Zelanda e Re, Irani – Belgjika dhe Irani – Egjipti.

Një nga skenarët më të diskutuar është që vendin e Iranit ta zë një kombëtare tjetër nga Azia, si p.sh. Iraku, që ishte ndër ekipet më pranë kualifikimit në eliminatore.

Megjithatë, deri tani FIFA nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë ndryshim në kalendar. Kjo organizatë po e monitoron situatën, ndërsa turneu do të nisë në qershor 2026.

Nëse tërheqja konfirmohet, ky do të ishte një rast shumë i rrallë në historinë e Kupës së Botës: një Kombëtare që tërhiqet pasi është kualifikuar dhe pas hedhjes së shortit të grupeve. /Gazeta Express