Vazhdon lufta e ndezur mes Real Madrid dhe La Liga, me një tjetër përplasje që do të tensionojë edhe më shumë atmosferën rreth “los blancos”.
Ka mjaftuar një deklaratë e Havier Tebas, presidenti të La Liga, që madrilenët të kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të tij.
Tebas, me një postim në rrjete sociale, ka krahasuar Real Madrid TV dhe mënyrën se si ata sulmonin këdo, me propagandën e Gjermanisë Naziste.
“Drejtuesit e Real Madridit dirigjojnë një orkestër zëdhënësish, ku në krye qëndron Real Madrid TV. Partitura e tyre është gjithmonë e njëjtë: përzgjedhja e aksioneve të caktuara, përsëritja e pakënaqësive të supozuara, rritja e dyshimeve dhe shënjestrimi i armiqve. Kjo metodë të kujton mekanizmat e propagandës të përdorur nga Gëbelsi, Ministri i Propagandës në Gjermaninë Naziste: përsëritja sistematike, krijimi i një armiku dhe nënshtrimi i fakteve ndaj një narracioni. Krahasimi ka të bëjë me këto teknika propagande, jo me ndonjë ideologji dhe, sigurisht, as me tifozerinë e klubit”, ishte mesazhi i Tebas.
Kjo ka sjellë një reagim të menjëhershëm nga klubi madrilen i cili ka kërkuar largimin e menjëhershëm të tij nga detyra.
“Real Madrid konsideron se deklaratat dhe sjelljet e përsëritura të Havier Tebasit janë të papranueshme në çdo institucion sportiv evropian që udhëhiqet nga parimet e respektit, neutralitetit dhe integritetit. Për më tepër, ato e bëjnë atë institucionalisht të papërshtatshëm për të vazhduar mbajtjen e posteve që ai zotëron aktualisht.
Si rrjedhim, Real Madrid kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i presidentit të La Liga dhe i nënkryetarit të Federatës të Futbollit.
Real Madrid do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e veta dhe prestigjin e tij institucional, si dhe të angazhohet për zbardhjen e plotë të “çështjes Negreira” dhe për rimëkëmbjen e nevojshme të futbollit spanjoll”, shkrihej ndër të tjera në deklaratën e klubit.
PANORAMASPORT.AL

