Për Mario Mitaj po flitet se mund të largohet nga Al Ittihad, por ajo që ka treguar me skuadrën arabe e bën atë një nga mbrojtësit më të mirë nën 23 vjeç mes kampionateve jashtë Europës.
Mitaj është përfshirë në dhjetëshen e parë për vlerën e kartonit nga Qendra Ndërkombëtare për Studime në Sport (CIES), me një vlerë prej 8 milionë e 380 mijë euro.
Në 40 ndeshje me Al Ittihad, Mitaj ka shënuar dy gola dhe ka dhënë katër asiste, ndërsa ka fituar kampionatin dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite.
Lista e ndërtuar nga CIES kryesohet nga talenti argjentinas Agustin Giay, i cili luan te Palmeiras në Brazil, me një vlerë kartoni rreth 20 milionë euro. Giay ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të mëdha si Roma, Napoli dhe Atletico Madrid.
Në këtë kontekst, vlera dhe performanca e Mitajt e vendosin atë ndër lojtarët më premtues dhe më të kushtueshëm të moshës nën 23 vjeç jashtë Europës.

