Musiala dënohet pas aksidentit të rëndë

Jamal Musiala u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik më shumë se një vit më parë dhe u shpall përgjegjës për ngjarjen. Tani, ylli i Bayern Munichut duhet të përballet me pasojat.

Sipas raportimeve të tz, Musiala shkaktoi një aksident serioz në autostradën A8 më 13 prill 2025, teksa po ngiste me shpejtësi shumë të lartë. Si pasojë, atij i është hequr leja e drejtimit.

Musiala dyshohet se u përplas me një “VW Golf” gjatë një parakalimi me shpejtësi 194 km/h në një zonë ku kufiri ishte 120 km/h. Pasagjerët e makinës tjetër pësuan lëndime të lehta, ndërsa prokuroria e vlerëson dëmin material në rreth 200 mijë euro. Këto informacione janë konfirmuar për tz nga Florian Lindemann, zëdhënës i prokurorisë.

Më 28 janar 2026, Gjykata Lokale e Mynihut lëshoi një urdhër penal të formës së prerë kundër të akuzuarit Jamal M., për rrezikim nga pakujdesia të trafikut rrugor dhe lëndim trupor nga pakujdesia në dy raste.

Ai është gjobitur dhe prej mesit të shkurtit nuk ka të drejtë të drejtojë automjet. Musiala nuk mund të aplikojë sërish për leje drejtimi deri në nëntë muaj pasi vendimi penal të ketë marrë formë të prerë.

Musiala merr përgjegjësinë

“E kam pranuar dënimin për këtë rast, si dhe ndalimin e drejtimit të automjetit”, tha Musiala për Bild. Ai e përshkroi aksidentin si “një ngjarje që të ndryshon jetën”, të cilën, sipas tij, “duhej ta përpunonte edhe emocionalisht”.