Kristjan Asllani vazhdon të kërkojë një klub për vijimin e karrierës pasi tashmë etapa e tij te Torino cilësohet e mbyllur. Ai ka refuzuar në fakt disa oferta, pasi nuk bindet nga propozimet e klubeve si Parma, Sasuolo, Kaljari, Zhirona apo Paris FC.
Refuzime që ia kanë bërë të vështirë Interit t’i gjejë një sistemim mesfushorit i cili insiston që të mbetet pjesë e një skuadre në Serinë A. Në këtë moment, në horizont është shfaqur një variant të cilin vetëm pak muaj më parë Asllani e refuzoi për çështje parash, por që tashmë mund t’i shpëtojë karrierën.
Mesfushori në verë refuzoi mundësinë që të transferohej te Bolonja duke zgjedhur Torinon. Shkak ishte rroga që i ofronte Bolonja, rreth 300 mijë euro më e ulët se sa pretendonte mesfushori i Kombëtares shqiptare. Por tani, transferimi te Bolonja duket si “luks” për Asllanin dhe interesimi i ekipi të drejtuar nga Vinçenco Italiano, e bën këtë si variantin më të mirë të mundshëm.
Largimi i dy mesfushorëve nga radhët e Bolonjës gjatë janarit hap mundësi të mira aktivizimi për Asllanin dhe nga Italia raportohet se ai po e sheh me prioritet mundësinë për t’iu bashkuar atij, duke kaluar këtë radhë në plan të dytë aspektin ekonomik.
E.KUKA – PANORAMASPORT.AL

