Negociata me Barcelonën? Agjenti i Haalandit e zbulon të vërtetën

Raportimet e së enjtes sugjeronin se një nga kandidatët për presidencën e FC Barcelona mund të ishte duke negociuar transferimin e superyllit të Manchester City, Erling Haaland.

Në orët e fundit kishte spekulime se Victor Font, kandidat për president të Barcelonës, kishte zhvilluar takime për të siguruar një opsion preferencial për një transferim të ardhshëm të Haaland te klubi katalanas, nëse ai do të zgjidhej president.

Pa dyshim, kjo do të ishte një lëvizje e fortë elektorale për të sfiduar Joan Laporta, i cili konsiderohet favorit i qartë për t’u rizgjedhur. Megjithatë, këto shpresa u shuan po aq shpejt sa u shfaqën, pasi Rafaela Pimenta, agjentja e sulmuesit të Manchester Cityt, i mohoi kontaktet.

“E kam thënë shumë herë se kemi shumë respekt për Barcelonën dhe shumë admirim për të, por nuk ka pasur asnjë kontakt – as me Erling Haaland dhe as me menaxhmentin e tij – nga FC Barcelona për një transferim,” deklaroi agjentja e njohur portugeze në një intervistë ekskluzive për El Chiringuito.

“Ai gjithashtu rinovoi kontratën vetëm disa muaj më parë, është shumë i lumtur te Manchester City, gjithçka po shkon mirë dhe sinqerisht nuk kemi asgjë për të diskutuar për një transferim kur situata te Manchester City është kaq pozitive,” përfundoi ajo.