Newcastle vs Manchester City

Manchester City po synon me u afru veç edhe një pikë te kryesuesit Arsenal, kur të udhëtojë në St James’ Park përballë Newcastle United të shtunën mbrëma.

Dy skuadrat takohen për herë të parë që prej shkurtit, kur City fitoi lehtë 4-0 në Etihad, falë një hat-tricku në pjesën e parë nga Omar Marmoush.

Newcastle hyri në pushimin e fundit të kombëtareve me disponim të keq pasi pësoi dy humbje radhazi në Premier League si mysafir ndaj West Ham dhe Brentford, duke humbur 3-1 ndaj këtyre të fundit, edhe pse kaluan herët në epërsi me Harvey Barnes.

Pas një sezoni ku e mbyllën në top 5, këtë vit Magpies kanë vetëm tri fitore në 11 ndeshjet e para të ligës (3 barazime, 5 humbje) dhe aktualisht janë në pozitën e 14-të, vetëm dy pikë mbi zonën e rrezikut dhe shtatë pas Sunderland që është në vendin e katërt.

Trajneri Eddie Howe, i cili vazhdon ta ketë mbështetjen e plotë të klubit, po kërkon “një reagim të madh” në këtë periudhë të ngjeshur ndeshjesh dhe beson se skuadra “nuk guxon me leju që trendi negativ të vazhdojë” nëse duan me qenë më lart në tabelë.

Newcastle pret të kthehet në St James’ Park, ku i ka fituar pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke shënuar së paku dy gola në secilën, dhe ku ka marrë 75% të pikëve të Premier League këtë sezon (9 nga 12), duke mposhtur Fulhamin 2-1 në ndeshjen e fundit si vendas.

Megjithatë, Magpies kanë fituar vetëm një herë në 35 ndeshjet e fundit të Premier League kundër City (6 barazime, 28 humbje) — një fitore 2-1 në janar 2019 me Rafa Benitezin — dhe Howe nuk ka fituar asnjë nga 18 përballjet e tij në ligë me City (2 barazime, 16 humbje), rekord negativ ndaj një kundërshtari.

Man City e nisi keq sezonin me dy humbje në tri ndeshjet e para (1 fitore), por ajo fazë tashmë ka mbetur pas, sepse skuadra e Guardiolës ka shënuar 11 fitore në 14 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, përfshirë gjashtë fitore në tetë ndeshjet e fundit të Premier League.

City dha një sinjal të fortë për pjesën tjetër të ligës — sidomos për Arsenalin — me fitoren bindëse 3-0 ndaj kampionit në fuqi Liverpool në ndeshjen e fundit. Ajo fitore, në ndeshjen e 1,000-të të Guardiolës si trajner, i ngriti City në vendin e dytë dhe i afroi brenda katër pikëve të Arsenalit, që të dielën luan derbin e Londrës së Veriut kundër Tottenham.