Neymari i është vetëofruar sërish një gjiganti evropian

Që nga momenti kur Neymari shkeli në fushën e Santosit, bota e futbollit filloi të pyesë sa do të zgjaste kthimi i tij në shtëpi.

12 vjet pas shpërthimit të tij në Brazil, ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG-së u rikthye te klubi ku u formua, në kërkim të vetvetes pas një periudhe gri të mbushur me lëndime në Arabinë Saudite.

Megjithatë, larg mendimit për t’u tërhequr, ylli 33-vjeçar ruan ende ambicien për të shijuar një “vallëzim” të fundit në elitën evropiane.

Kthimi i Neymarit te Santosi ishte një akt i mbushur me emocion dhe nostalgji.

Në Vila Belmiro, ai rifitoi minuta loje, besim dhe dashurinë e tifozëve që nuk e kanë pushuar kurrë së adhuruari.

Megjithatë, kontrata e tij me klubin nga São Paulo skadon më 31 dhjetor dhe, sipas “La Gazzetta dello Sport”, qëllimi i tij është të rikthehet për të konkurruar në nivelin më të lartë në Evropë, për ta mbyllur karrierën me dinjitet.

Ai nuk është më anësori rrufeshëm që i linte të gjithë pas. Futbolli i tij është pjekur: lëviz më shumë në zonat qendrore, menaxhon ritmin e lojës dhe merr pjesë më shumë në ndërtimin e aksioneve sesa në finalizim.

Neymari ka humbur shpejtësinë, por ka ruajtur vizionin, prekjen dhe inteligjencën taktike që e kanë dalluar gjithmonë.

Gjatë verës së kaluar, Napoli ishte një nga klubet që e mori seriozisht në konsideratë nënshkrimin e tij.

Antonio Conte dhe Aurelio De Laurentiis diskutuan brenda për brenda mundësinë e afrimit të tij, por në fund zgjodhën Kevin De Bruyne, duke e vlerësuar belgun si një opsion me performancë të menjëhershme dhe më pak rrezik fizik.

Në atë kohë, ideja e transferimit të Neymarit u la mënjanë. Por muajt që kaluan e kanë ndryshuar situatën.

Kontrata e tij me Santosin po shkon drejt fundit dhe, sipas raportimeve të ndryshme, agjenti i tij Pini Zahavi e ka ofruar sërish si te Napoli, ashtu edhe te Interi.

Të dy klubet kanë marrëdhënie të mira me agjentin izraelit dhe janë të hapura për ta rishqyrtuar mundësinë në merkaton e dimrit.

Perspektiva e kalimit të Neymarit në Serie A ka ngjallur entuziazëm të madh – jo vetëm për talentin e tij, por edhe për ndikimin mediatik që do të kishte ardhja e tij në kampionatin italian.

Në moshën 33-vjeçare, braziliani e di se nuk mund të garojë më me forcë fizike, por me inteligjencë dhe teknikë.

Roli i tij aktual, më afër një mesfushori sulmues sesa një anësori, do të përshtatej në mënyrë perfekte me sistemet taktike të Contes apo Christian Chivus, ku talenti individual bashkohet me disiplinë kolektive.

Napoli, kampioni në fuqi i Italisë, kërkon të ruajë statusin e tij dhe të forcojë ekipin për të konkurruar në Europë.

Afrimi i Neymarit do të ishte një goditje e madhe sportive dhe tregtare.

Në rastin e Interit, mundësia ekziston gjithashtu, sidomos nëse zikaltërit vendosin të përforcojnë repartin ofensiv për pjesën e dytë të sezonit.

Inter kishte emrin e Neymarit në tavolinë gjatë verës, por marrëveshja u anulua për arsye financiare.

Tani, me afrimin e merkatos së janarit, nuk përjashtohet mundësia që zikaltërit ta rishqyrtojnë lëvizjen, nëse arrijnë të çlirojnë hapësirë në pagat e ekipit.

Zahavi mban kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e Interit, dhe lojtari është i gatshëm të ulë kërkesat e tij për t’u rikthyer në një ligë të madhe.

Përtej parave apo famës, ajo që e shtyn Neymarin është dëshira për të luajtur në një Kupë të fundit Bote me Brazilin.

Turneu i vitit 2026 është objektivi i tij kryesor, dhe për të bindur trajnerin e përfaqësueses, Carlo Ancelotti, ai duhet të rikthehet në elitë, të mbajë ritmin konkurrues dhe të tregojë se ende mund të bëjë diferencën.

Kalendari po ngushtohet dhe negociatat po përshpejtohen. Data 31 dhjetor do të shënojë fundin e etapës së tij te Santosi dhe, ndoshta, fillimin e një aventure të re në Europë.

Nëse gjithçka përputhet, Serie A mund të jetë skena e përsosur për Neymarin që të shkruajë kapitullin e fundit të një karriere po aq të shkëlqyer sa edhe të paparashikueshme./GazetaExpress/