Para se të merrte drejtimin e Francës, Zidane refuzoi një tjetër ofertë të madhe nga kombëtarja tjetër europiane

Zinedine Zidane mund të ishte bërë trajneri i parë francez i Kombëtares së Belgjikës, por e refuzoi ofertën pasi e kishte vetëm një objektiv: të drejtonte Francën.

Sipas një raportimi të publikuar sot nga “Foot Mercato”, Zidane ishte kontaktuar nga Federata Belge e Futbollit pas largimit të Domenico Tedesco në janar të vitit 2025, përcjell “Gazeta Express”.

Vincent Mannaert, i cili në atë kohë ishte drejtor sportiv i Federatës Belge, e kishte vendosur fituesin e Kupës së Botës 1998 me Francën si objektivin kryesor për stolin e “Djajve të Kuq”.

Belgjika i bëri një ofertë Zidane, por ish-trajneri i Real Madridit e bëri menjëherë të qartë se vetëm një detyrë i interesonte: ta merrte drejtimin e Kombëtares së Francës.

Në fund, Federata Belge e zgjodhi Rudi Garcian si trajner të përfaqësueses për Botërorin 2026.

Mannaert e kishte ndjekur Zidane prej vitesh

Interesi i Vincent Mannaert për Zidanen nuk ishte i ri. Ai daton që në vitin 2015, kur drejtuesi belg e pati mundësinë ta shihte francezin nga afër gjatë një grumbullimi në akademinë e Club Brugge.

Në atë kohë, Zidane ishte trajner i ekipit rezervë të Real Madridit dhe e drejtoi një seancë stërvitore me ekipin U-19 të Club Brugge, të drejtuar nga Rik De Mil.

Mannaert mbeti i impresionuar veçanërisht nga ana njerëzore e Zidane.

Atij i bënë përshtypje modestia e francezit, vëmendja që u kushtonte anëtarëve të stafit teknik dhe aftësia për t’u dhënë menjëherë siguri lojtarëve të rinj.

“Ishte e qartë se ai kishte respekt të madh për punën e Michel Preud’homme dhe se ishte i gatshëm të mësonte”, kishte deklaruar Mannaert.

Kjo përvojë e bindi drejtuesin belg se Zidane i kishte të gjitha cilësitë për t’u bërë një trajner i madh i një kombëtareje në të ardhmen.

Dhe një dekadë më vonë, Zidane më në fund e realizoi ëndrrën e tij.

Pas largimit të Didier Deschamps, i cili e mbylli aventurën 14-vjeçare me Francën pas eliminimit në gjysmëfinale të Botërorit 2026 nga Spanja, Federata Franceze e konfirmoi në korrik emërimin e Zidanet si trajner i “Les Bleus”.

Zidane e kishte fituar Kupën e Botës me Francën si futbollist në vitin 1998 dhe, pas largimit të dytë nga Real Madridi në vitin 2021, nuk e kishte drejtuar asnjë skuadër tjetër deri në marrjen e detyrës së shumëpritur te Franca. /Gazeta Express