Portugalia do ta presë Armeninë në Porto të dielën në mesditë, duke ditur se një fitore do t’i siguronte vendin në finalet e Kupës së Botës 2026.
Skuadra e Roberto Martinez është në krye të Grupit F me 10 pikë, dy më shumë se Hungaria e vendit të dytë, ndërsa Armenia është në fund të grupit me vetëm tre pikë nga pesë ndeshje.
Portugalia i nisi fuqishëm kualifikimet me tre fitore radhazi ndaj Armenisë, Hungarisë dhe Irlandës, por në dy ndeshjet e fundit ka marr vetëm një pikë – barazoi me Hungarinë në tetor dhe më pas pësoi një humbje befasuese 2-0 ndaj Irlandës të enjten.
Dopieta e Troy Parrott i dha Irlandës fitoren, ndërsa Portugalia tani ka nevojë për tri pikë ndaj Armenisë për të siguruar vendin e parë dhe kualifikimin direkt në Botëror.
Edhe një barazim mund të mjaftojë, por vetëm nëse Hungaria nuk fiton ndaj Irlandës me tre gola diferencë, megjithatë luzitanët nuk pritet të rrezikojnë – fitorja është objektivi i tyre i vetëm.
Portugalia nuk ka dështuar të kualifikohet në një Botëror që nga viti 1998, ndërsa në Katar 2022 arriti në çerekfinale, paraqitja e tyre më e mirë që nga viti 2006.
Ata janë të pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit kundër Armenisë, përfshirë edhe fitoren 5-0 në ndeshjen e parë në shtator, megjithëse dy kombëtaret barazuan 1-1 në një kualifikim për Euro 2008 në vitin 2007.
Armenia nuk do të përballet me Cristiano Ronaldon, pasi 40-vjeçari u ndëshkua me të kuq direkt për një episod me Dara O’Shea në ndeshjen ndaj Irlandës.
Kjo ndeshje është pa presion për armenët, të cilët befasuan Irlandën me një fitore 2-1 në shtator, por me katër humbje në pesë ndeshje ata vazhdojnë të mbeten në fund të grupit me vetëm tre pikë.

