Pranoi edhe ulje të pagës, Adnan Januzaj rrëfen sfidat e vështira te Sevilla!

Ish-lojtari i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, ka rrëfyer sfidat e vështira që ka përjetuar gjatë periudhës së tij te Sevilla, duke përfshirë edhe vendimin për të pranuar ulje page për të vazhduar te klubi spanjoll.

Mesfushori belg iu bashkua Sevillas në vitin 2022 me pritshmëri të larta, por dëmtimet dhe forma e paqëndrueshme bënë që aktivizimet e tij të ishin të kufizuara për një periudhë të gjatë, shkruan Indeksonline

Situata u përkeqësua në vitin 2024, kur klubi kërkoi largimin e tij për shkak të pagës së lartë, me synimin për të lehtësuar barrën financiare.

Megjithatë, Januzaj vendosi të qëndrojë dhe në vitin 2025 arriti marrëveshje për ulje page, duke treguar përkushtimin e tij për të vazhduar karrierën në “Ramón Sánchez-Pizjuán”.

Në një deklaratë të sinqertë, ai theksoi motivimin e tij për të rikthyer formën më të mirë:

“Ulja e pagës? Doja të luaja këtu duke dhënë më të mirën për Sevillan, sepse nuk kam pasur mundësinë për tre vitet e fundit. Gjithmonë kam ndjerë respekt në çdo klub dhe përpiqem ta kthej me cilësinë time dhe kontributin në fushë”.

Januzaj foli edhe për presionin dhe kritikat në futbollin profesionist:

“Nëse do të dëgjoja çdo opinion, do të isha dorëzuar nga futbolli. Futbolli ndryshon shpejt; sot je më i miri, nesër më i dobëti. Nëse nuk je i fortë mendërisht, nuk arrin askund”.

Ai shtoi se ka ruajtur gjithmonë qetësinë dhe përkushtimin ndaj punës:

“Kam qëndruar i qetë dhe kam punuar fort. Kam një teknikë natyrale dhe ndonjëherë dukem i relaksuar në fushë, por kjo është mënyra ime e lojës. Gjithmonë kam qenë i përkushtuar për të luajtur futboll”.

/Indeksonline/