Rashfordi e ka gjetur një ‘mënyrë’ tjetër për të qëndruar te Barça

Marcus Rashfordi edhe një herë tregoi rëndësinë e tij për Barcelonën, këtë herë nga një rol më pak i zakonshëm.

Sulmuesi anglez u aktivizua nga stoli kundër Osasunas dhe ndryshoi ritmin e ndeshjes nga krahu i djathtë.

Në fitoren 2-1 në “El Sadar”, Rashfordi dha asistin për Robert Lewandowskin për golin e parë, duke konfirmuar aftësinë e tij për të ndikuar në lojë edhe jashtë pozicionit të tij të zakonshëm.

28-vjeçari e ka ndërtuar karrierën kryesisht si anësor i majtë, ku profili i tij me këmbën e djathtë i lejon të futet brenda dhe të shfrytëzojë goditjen e fuqishme.

Megjithatë, paraqitjet e fundit në krahun e djathtë po ofrojnë një zgjidhje të re taktike për trajnerin Hansi Flick, sidomos me mungesën e Lamine Yamalit në atë pozicion.

Aftësia e Rashfordit për të luajtur në disa role sulmuese nuk është diçka e re.

Gjatë sezonit 2022-23 me Manchester Unitedin, ai pati ndikim të madh kundër Barcelonës në Ligën e Evropës, pasi ndërroi krahët gjatë ndeshjes dhe kontribuoi drejtpërdrejt në dy gola në “Camp Nou”.

Pasiguria në paraqitjet e Roony Bardghjit përballë mbrojtjeve të forta ka rritur gjasat që Rashford të marrë një rol më të rregullt në krahun e djathtë.

Me “El Clásicon” e 10 majit që po afron, fleksibiliteti i tij bëhet një aset shumë i vlefshëm për sistemin ofensiv të Barcelonës.

Statistikat e Rashfordit e mbështesin ndikimin e tij: 13 gola dhe 14 asistime këtë sezon e vendosin atë mes lojtarëve më produktivë të skuadrës.

Me të ardhmen e tij ende të varur nga një marrëveshje komplekse që përfshin Manchester Unitedin, aftësia për t’u përshtatur në role të ndryshme sulmuese mund të jetë vendimtare për vendimin final të klubit./GazetaExpress/