Real Madrid vs Celta Vigo

Real Madrid synon të marrë fitoren e dytë radhazi në La Liga, teksa të dielën mbrëma pret Celta Vigon në “Santiago Bernabéu”.

Los Blancos janë në vendin e dytë të tabelës, një pikë prapa Barcelonës, ndërsa Celta renditet në pozitën e 12-të me 16 pikë të grumbulluara në 14 ndeshjet e para.


Real Madridi barazoi tre ndeshje radhazi në kampionat ndaj Rayo Vallecanos, Elches dhe Gironës mes 9 dhe 30 nëntorit, por u rikthye me stil te fitorja të mërkurën mbrëma duke mposhtur Athletic Bilbaon 3-0 në “San Mamés”.

Këto hapa fals i kanë kushtuar përkohësisht kreun e tabelës, që tani mbahet nga Barcelona, por madrilenët janë vetëm një pikë larg vendit të parë dhe shohin me bindje drejt një tjetër fitoreje të dielën.

Skuadra e Xabi Alonsos ka qenë e shkëlqyer në shtëpi këtë sezon – 6 fitore në 6 ndeshje dhe 14 gola të shënuar – por Celta ka rezultuar një nga ekipet më të forta në transfertë, me 11 pikë të fituara në 6 ndeshje jashtë fushe.

Real Madridi është në një seri prej 11 fitoresh radhazi kundër Celtës në të gjitha garat, përfshirë triumfin 3-2 në ndeshjen e njëjtë sezonin e kaluar.

Çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ishte një tjetër hap fals për madrilenët, të cilët javën e ardhshme presin ndeshjen e madhe në Champions League kundër Manchester Cityt.