Sipas raporteve nga Spanja, Real Madrid është e hapur ndaj idesë së një shkëmbimi që përfshin Rodrygon, me Xabi Alonson që thuhet se është i gatshëm të “lehtësojë” një lëvizje për një nga afrimet verore të Liverpoolit.
Që nga bashkimi me klubin për 39 milionë paund nga Santos, Rodrygo ka bërë mbi 250 paraqitje për Los Blancos gjatë një periudhe gjashtëvjeçare plot trofe.
Ai shkëlqeu nën drejtimin e Carlo Ancelottit, duke fituar tre tituj të La Ligas dhe dy herë Ligën e Kampionëve, por kohët e fundit ka pasur më pak hapësira, sidomos nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso.
Si pasojë, Rodrygo u lidh ngushtë me një transferim gjatë verës. Arsenal dhe Chelsea u përmendën si të interesuara, krahas kampionëve të saposhpallur të Premier League, Liverpoolit.
Sipas gazetës spanjolle AS, Liverpool kishte shfaqur interes dhe po e ndiqte nga afër situatën e tij të ndjeshme në Madrid, por në fund u fokusua te objektiva të tjerë, përfshirë Florian Wirtz.
Wirtz, i cili në fund u bashkua me Liverpool-in për 116 milionë paund, ishte ndjekur prej muajsh nga Real Madridi.
Megjithatë, sipas Defensa Central, klubi spanjoll nuk ishte i gatshëm të plotësonte kërkesat financiare të Bayer Leverkusen dhe u tërhoq nga gara për nënshkrimin e tij.
Raporti shton gjithashtu se Wirtz “nuk do të kishte hezituar” të bashkohej me Los Blancos nëse ata do të kishin bërë një ofertë të përshtatshme.
Në fakt, me gjermanin që po has vështirësi për t’u përshtatur me jetën në Premier League, Real Madrid do të ishte i gatshëm ta përfshinte Rodrygon në një marrëveshje të guximshme shkëmbimi për Wirtz.
“Sipas raportit, Xabi Alonso do të ishte i lumtur ta kishte atë në skuadër. Për momentin, Real Madridi po e ndjek nga afër, duke qenë të vetëdijshëm se ai mund të bëhet një opsion shumë interesant për forcimin e mesfushës në të ardhmen.”
Raporti shton: “Por në afat të shkurtër, një lëvizje e tillë duket pothuajse e pamundur, sepse Liverpool nuk do të dëshirojë ta shesë kaq shpejt, pavarësisht interesit të tyre për Rodrygon.”
Përpara se të kalonte te Madridi, sulmuesi brazilian ishte shumë pranë nënshkrimit me Liverpool-in në vitin 2017 për vetëm 2.5 milionë paund.
“Ne nuk e mbyllëm marrëveshjen (me Liverpoolin) sepse nuk doja,” tha Rodrygo në vitin 2024. “Doja të qëndroja te Santos edhe pse oferta ishte shumë e mirë… në fund, munda të përmbushja ëndrrën time për të luajtur për Santos.”
“Por është e vërtetë, isha shumë afër kalimit te Liverpooli në 2017.”
Megjithëse e refuzoi atëherë, ai ka shprehur admirimin e tij për klubin anglez dhe tifozët e tij.
Duke folur përpara një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve në Anfield në vitin 2023, ai tha: “Ndeshja atje do të jetë shumë e vështirë, këtë e dimë tashmë. Të luash kundër Liverpoolit është gjithmonë e vështirë, me apo pa tifozë, por në Anfield është edhe më shumë.”/GazetaExpress/

