RENDITJA E FIFA-s/ Shqiponjat fluturojnë! Triumfi përballë serbëve ngjit Kombëtaren më lart, Kosova gati për rekord

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur një javë perfekte, duke regjistruar dy fitore radhazi ndaj Serbisë në transfertë dhe Jordanisë në miqësoren e zhvilluar në shtëpi. Rezultatet pozitive pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen e FIFA-s, e cila përcakton ndarjen e vazove për shortin e play-off të Botërorit 2026.

Falë këtyre fitoreve, Shqipëria pritet të ngjitet në vendin e 62-të në klasifikimin botëror, duke bërë një hap përpara me katër pozicione. Kuqezinjtë ruajnë pozicionin e parë në vazon e tretë dhe synojnë afrimin me skuadrat e vazos së dytë, një objektiv i arritshëm në ndeshjet e nëntorit.

Ndërkohë, Kosova ka qenë surpriza e muajit me barazimin ndaj Sllovenisë dhe fitoren historike në Suedi. Falë këtyre rezultateve, “Dardanët” pritet të ngjiten me shtatë vende në renditje, duke u pozicionuar në vendin e 84-t dhe vendosur një rekord të ri për ekipin përfaqësues.

SITUATA E PLAY-OFF PAS NDESHJEVE TË RAUNDIT TË 8-t:

VAZO 1: Itali, Turqi, Ukrainë, Poloni.

VAZO 2: Hungari, Skoci, Çeki, Sllovaki.

VAZO 3: Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë.

VAZO 4 (nga Liga e Kombeve): Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut.